Vlora Çitaku, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për ndarjen e 100 eurove për qytetarët, duke e cilësuar këtë masë si të gabuar dhe pa efekt në zgjidhjen e problemeve afatgjata.

Ajo ka theksuar se qeveria po keqpërdor buxhetin e shtetit dhe se këto mjete nuk janë pronë personale e askujt për t’u përdorur për përfitime politike.

Sipas Çitakut, gjatë mandatit të saj qeverisës nuk mund të identifikohet asnjë projekt madhor kapital që të ketë lënë gjurmë konkrete, pavarësisht faktit se janë menaxhuar miliarda euro.

“Asnjëri prej nesh nuk do të mund të gjejë një projekt të madh kapital të rëndësishëm që e ka kryer kjo qeveri dhe kanë menaxhuar miliarda euro. Të dilet publikisht nga ana e qeverisë dhe të thuhet ‘votoni me 28, ndërkohë me 29 ua japim nga 100 euro’’, kjo është përpjekje për korruptim të votës së qytetarëve. Qeveria nuk ka të drejtë të abuzojë me buxhetin e shtetit, nuk janë para personale ato. Ofertat për 100 euro, përpjekjet për të blerë një lloj simpatie, nuk zgjidhin problemet afatgjate’’, ka deklaruar ajo.