Ndotja e ajrit

​Cilësia e ajrit ende jo e mirë, ekspertët tregojnë faktorët e ndotjes

Ndotja e ajrit ka ndikime të konsiderueshme në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Ndikimi negativ është veçanërisht i dukshëm te shëndeti i qytetarëve, sidomos tek ata që jetojnë në zona urbane dhe afër zonave ku ka trafik intensiv dhe zonave industriale.

Ekspertët thonë se nga të dhënat e marra nga matjet e përditshme del se cilësia e ajrit nuk është edhe aq e mirë. Ata tregojnë se periudhat më të prekura nga ndotja e ajrit janë kryesisht gjatë vjeshtës deri në pranverë, teksa numërojnë edhe shkaktarët e ndotjes.

Mentor Shala, ekspert për cilësinë e ajrit, për KosovaPress, tregon rastet kur ka tejkalime të vlerave maksimale të lejuara sipas direktivës evropiane dhe sipas ligjeve në fuqi vendore.

“Instituti hidrometeorologjik i Kosovës, siç është i obliguar me ligj, bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nga të dhënat e fituara, nga matjet shohim se cilësia e ajrit ende nuk është e mirë. Ajo nuk është e mirë kur krahasohet me vlera standarde apo limitet e lejuara sipas standardeve evropiane dhe atyre të Organizatës Botërore të Shëndetësisë… Në qoftë se krahasohen në këto matje të dhënat e kësaj direktive nga të gjithë matësit apo ndotësit e shkaktuar në ajër, shohim se kemi tejkalime vetëm të grimcave të pluhurit PM 2.5 dhe PM 10, të cilat tejkalojnë vlerat maksimale të lejuara sipas direktivës evropiane 2008/50 dhe sipas ligjeve në fuqi vendore. … Në vitin që lamë pas kemi 36 ditë me tejkalime dhe në vitin 2022 kemi 59 ditë me tejkalime,” tha Shala.

Shala tregon se periudha më e prekur nga ajri i ndotur është duke filluar nga tetori e deri në muajin mars, pasi rritet kërkesa për ngrohje nga qytetarët dhe njëherësh në gjithë këtë situatë ndikojnë edhe kushtet meteorologjike.

“Në muajin tetor deri në muajin mars shohim se kemi cilësi jo të mirë të ajrit, sepse në këtë muaj rritet kërkesa për ngrohje. Po ashtu, janë kushtet meteorologjike, të cilat e ndihmojnë gjendjen jo të mirë të cilësisë së ajrit, dhe sa i përket këtyre ndotësve që kanë tejkalime, pra grimcat e pluhurit PM 10 dhe 2.5, vlera mesatare ditore e grimcave të pluhurit PM 10 është 50 mikrogramë për metër kub, ndërsa ka ditë të caktuara në këtë periudhë ku kemi vlerë dyfish më të lartë, ndërsa sa i përket grimcave të pluhurit PM 2.5, vlera maksimale e lejuar është 25 mikrogramë për metër kub,” tha Shala.

Shala thotë se ndikuesit në ndotjen e ajrit janë shkarkimet në ajër që bëhen vazhdimisht siç janë termocentralet dhe transporti, por edhe djegiet e vogla si ekonomitë familjare, restorantet dhe furrat e bukës.

“Ajri është i ndotur për shkak të shkarkimeve në ajër që bëhen vazhdimisht siç janë termocentralet, transporti, ekonomitë familjare. Përveç termocentraleve dhe transportit, deri vonë nuk është marrë shumë për bazë edhe një sektor siç janë djegiet e vogla si ekonomitë familjare, restorante, furra të bukës. Këto ‘dhurojnë’ një kontribut shumë të madh në ndotjen e ajrit, por gjatë shkarkimit të këtyre ndotësve në ajër, përveç shkarkimeve, janë edhe kushtet meteorologjike, të cilat e ndihmojnë apo e përkeqësojnë gjendjen me cilësi të ajrit në kohën e dimrit, kur ulen temperaturat. Ne, zakonisht, presim ndotje nga muaji tetor deri në muajin mars dhe në këtë kohë kur ulen temperaturat dhe lagështia është e madhe dhe në mungesë të erës, e gjithë ajo ndotje që shkaktohet lokalizohet në vend duke krijuar vorbull të ajrit, kryesisht në shtresën e ulët të troposferës dhe pastaj kjo është shumë e dëmshme për shëndetin e njeriut,” u shpreh Shala.

Me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja është e rrezikshme kur mesatarja e grimcave PM 10 kalon 45 mikrogramë për metër kub në 24 orë, ndërsa për grimcat PM 2.5 nuk duhet të jetë më shumë se 15 mikrogramë për metër kub.

Sipas OBSH-s, efektet e kombinuara të ajrit të ndotur në ambient të jashtëm dhe të ajrit të ndotur në shtëpi shkaktojnë 6.7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Në mars 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë për Energji 2022-2031, në bazë të së cilës, vendi synon deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Në këtë mënyrë do të ulej prodhimi në termocentrale, e rrjedhimisht edhe niveli i ndotjes së ajrit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit, ndërsa Instituti Kombëtar Shëndetësor i Kosovës (IKSHPK) del me rekomandime për qytetarët në rastet kur cilësia e ajrit del të mos jetë e mirë. 

VIDEO BONUS: Pastrimi i rrugëve nga bora