Ligji për Byronë

Cilat janë shkeljet në Ligjin për Byronë?

I pavlefshëm në tërësi, u shpall Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, katër nene të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën, që përfshijnë fushëveprimin, përbërjen e komisionit mbikëqyrës dhe kompensimin, periudhën e verifikimit të pasurisë dhe procedurën në shkallë të parë.

Evidentimi i këtyre shkeljeve për juristët ishte i pritshëm.

“Duke filluar nga pabarazia e palëve në procedurë, pastaj mungesa e pabarazisë së mjeteve për t’i përdorur ato në procedurë, dhe tek pasiguria juridike si rezultat i pamundësisë së mbrojtjes së pretendimeve të palëve ndaj të cilëve iniciohet procedura në gjykatë, lidhur me burimin e të ardhurave të tyre”, ka thënë avokati Asdren Bytyqi.

Rrëzimi i Ligjit për Byronë, i cili llogaritej kyç për reformën në drejtësi, po vlerësohet si tjetër dështim i ekzekutivit.

“Ka qenë një prej ligjeve kryesore në kuptimin e reformës në drejtësi, por tashmë që edhe pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, është konstatuar se ky ligj është në kundërshtim me parimet dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese realisht i ka kontestuar 4 nene të ligjit, por e ka rrëzuar në tërësi ligjin për Byronë”, ka thënë Lavdim Makshna.

Pas vendimit të Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër.