Cila është lidhja e biznesmenit pejan, Ekrem Lluka me njerëzit e përfshirë në aferën e “fajdeve”

Personazhi kryesor në aferën e fajdeve, Rrahim Hashimi, në videot ekskluzive të siguruara nga Koha, ka involvuar edhe një tjetër politikan të lartë të PDK-së, si garantues se do t’i kryejë punë për spitalin.

I dyshuari për fajde dhe mashtrim, Rrahim Hashimi, pretendon se ka takime të shpeshta me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin.

Në serinë e videove të publikuara, në dy raste përmendet edhe biznesmeni pejan, Ekrem Lluka.

Kjo video është realizuar më 31 janar të 2012-s.

Kadri Rexhepi: Çu, banja për hair.

Rrahim Hashimi: Hej, nesër met prej 12, se prej 12 deri 1 është pushimi, në Parlament te Xhaviti, se ai tha mundet me nënshkru’ edhe në 10 qysh ke marrëveshja. Jo i thashë, po duhesh me kanë edhe ti me hangër drekë.

Faton Dalladaku: Qashtu është.

Rrahim Hashimi: E lidha, s’kish saktë…

Teksa flasin për kohën e nënshkrimit të kontratës për spitalin brenda hapësirave të QKUK-së, Rrahim Hashimi thotë se njeriu që kryen punë është Kadri Veseli dhe se ky pi kafe me të.

Rrahim Hashimi: Qetash ata shkuan se apet po të kallëzoj, Kadria e kreu. Jo ky.

Faton Dalladaku: Kadria, Veseli?

Kadri Rexhepi: Oooo , leje bre… pasha Zotin u bajke m*t.

Faton Dalladaku: Nanën ia kajsha.

Kadri Rexhepi: U bajke m*t.

Rrahim Hashimi: Jo, jo, të shpjegoj veç diçka, veç të shpjegoj diçka.

Kadri Rexhepi: Këqyr çka po them. Mos të kofke (ishte) Kadria, ke tu u ba m*t. Pasha Zotin u bajke m*t.

Më vonë…

Rrahim Hashimi: Më falni, jo jam tu shku’ te Kadria unë, se janë tu pi kafe veç kështu për qejf, jo naj gja.

Por, disa muaj më vonë, pasi Faton Dalladaku ua dha paratë Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, këtij të fundit i ankohet se janë duke e mashtruar.

Faton Dalladaku: Të lutem, t’i mëshojmë kapak menjiherë kësaj pune. Unë qetash e thirri Ekrem Llukën.

Kadri Rexhepi: Thirre.

Faton Dalladaku: Qetash e thirri edhe Kadri Veselin.

Por cila është lidhja e Ekrem Llukës? Ju sjellim një raport hulmutues të Gazetës Jeta në Kosovë nga viti 2015:

Historia e Përplasjeve mes Llukës e Dalladakut

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se historia e ndërtimit të spitalit në afërsi të QKUK përfshin edhe përçarjen mes hisedarëve të këtij biznesi. Faton Dalladaku, nëpërmjet gjyqit, po kërkon nga biznesmeni Ekrem Lluka që të shlyejë një detyrim ndaj tij në vlerë prej mbi 141 mijë eurosh.

Ekziston edhe një tjetër histori problemesh lidhur me objektin e spitalit amerikanë në afërsi të QKUK-së.

Përveç ndërtimit në afërsi të spitalit publik dhe ndërrimit të veprimtarisë nga spital i specializuar në të përgjithshëm një problem tjetër i madh është pëçarja mes vete e hisedarëve të ndërtimit të objektit të këtij spitali.

Para se objekti të kalonte në shfrytëzim të Spitalit Amerikan ishin katër biznesmenë që kishin hise në këtë objekt dhe të cilët u përplasen mes vete.

Fatmir Dalladaku ishte nismëtari i ndërtimit të spitalit privat në afërsi të atij publik në Prishtinë. Para dhjetë vitesh, më 2005, kishte marrë 1 mijë e 500 metra katorë me qira nga Komuna e Prishtinës për të nisur biznesin e tij.

I ishte bashkuar në biznes vëllai i tij, Fatoni.

Ortakëria ishte zgjeruar edhe me doktorin shqiptar që jeton në Kroaci, Stak Staka dhe në vitin 2009 grupi u fuqizua për kah kapitali pasi pjesë e tij u bë Ekrem Lluka, biznesmeni i njohur nga Peja.

Por ky bashkim forcash i njerëzve të kamur nuk rezultoi me fuqizim të këtij projekti biznesor.

Ndodhi e kundërta.

Ortakët u përçanë mes vetë dhe puna shkoi deri aty sa Faton Dalladaku kërkoi nga gjyqi që të zgjidh një mos marrëveshje që ai ka me Ekrem Llukën, biznesmenin e fuqishëm pejanë që u bashkëngjit i fundit në këtë histori.

Si nisen problemet?

Faton Dalladaku tregon se problemet nisën më 2011 dy vite pas krijimit të grupit prej katër biznesmenësh.

Lluka ishte më i fuqishmi në grup.

Lluka kishte 51 përqind të aksioneve ndërsa dy vëllëzërit Dalladaku dhe doktori Stak Staka zotëronin pjesën tjetër prej 49 përqind të hises në Qendrën Kardiale.

Por më 2011 kur po afrohej fundi i punëve në ndërtim të objektit ndodhi edhe prishja mes hisedarëve.

Faton Dalladaku nuk tregoi se për çfarë arsye i kishte prishur raportet me biznesmenin Lluka.

Ndërkohë biznesmeni nga Peja nuk u përgjigj në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë as pas tri javësh nëpërmjet të cilave i kërkohej një koment lidhur me pretendimet e Dalladakut.

Ndërkaq Dalladaku thotë se gjashtë muaj pas prishjes së raporteve biznesore grupi i biznesmenëve ishin ulur për të diskutuar mënyrën e prishjës së ortakërisë.

Lluka ishte ai që fillimisht kërkoi që të shesë aksionet e tij . Por vuri disa kushte.

Vëllëzërit Dalladaku dhe Stak Staka duheshin që deri më 16 prill të vitit 2011 të i’a kthenin Ekrem Llukës shumën prej 1 milionë e 67 mijë e 300 eurosh në rast se dëshiron të blenin aksionet e tij.

Lluka vuri edhe një kusht tjetër. Kërkonte që deri më 12 maj të vitit 2011 që tre aksionarët tjerë të fusnin pronat e tyre në hipotekë në bankën sllovene Factor Bank ku Lluka kishte marrë kredi për blerjen e aparaturave të nevojshme për biznesin e përbashkët.

Vlera e hipotekimit duhej të ishte rreth 2 milionë euro.

Faton Dalladaku thotë se kishin pasur në plan për të ia paguar Llukës shumën prej mbi 1 milionë eurosh për blerjen e aksioneve por nuk ishin pajtuar për kushtin e dytë- që të ia paguanin atij kreditë.

“Nuk jemi dakorduar për hipotekat me z. Ekrem Lluka. Meqë nuk jemi dakorduar për hipotekë ne jemi tërhequr”, tha Faton Dalladaku.

Kur vëllëzërit Dalladaku nuk plotësuan kushtet e vëna nga Lluka për largimin e tij atëherë situata morri kahje krejtësisht të kundërt.

Ishin Dalladakët dhe Staka ata që kërkonin të shitnin aksionet e tyre.

Dhe Lluka i bleu aksionet e të treve.

Katër bashkëpronarët e spitalit “Qendra Kardiale e Kosovës”, më 11 maj 2011 nënshkruan kontratën për shitblerjen e aksioneve.

Gazeta Jeta në Kosovë posedon këtë marrëveshje që e bënte Llukën zotërues të 100 për qind të biznesit.

Lluka bleu aksionet e tyre për një shumë prej 735 mijë euro.

“Fatmir Dalladaku pronar i 4 mijë e 500 të aksioneve me vlerë prej 450 mijë euro, Faton Dalladaku pronar i 1 mijë e pesëqind të aksioneve në vlerë prej 150 mijë euro, Stak Staka aksionar i 1 mijë e 350 të aksioneve prej 135 mije euro ia shesin aksionet e tyre të njëjta me të njëjtën vlerë prej 735 mijë euro (në total) Ekrem Llukës”, thuhet në kontratën për shitblerjen e aksioneve.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi edhe doktorin Stak Staka, aksionarin me më pak peshë në këtë biznes.

“Kam pas shumë pak aksione ndër 10 për qind, kam qenë aksionari më i vogël dhe nuk kam pas të drejt të vendimmarrjes”, tha Staka.

Ai u shpreh se nuk e mban në mend se në cilin vit është futur si ortak në këtë projekt por tregoi se të gjitha investimet i janë kthyer pas shpërbërjes së ortakërisë.

“ Po…po krejt ka qenë korrekte, krejt ka qenë sipas marrëveshjes përndryshe do të ishim shkuar me padi. Të gjitha kanë qenë ashtu siç jemi marr vesh”, tha Staka.

Staka shtoi se është futur në këtë ortakëri për shkak të miqësisë me Fatmir Dalldakun ndërsa është larguar për arsye personale-pasi që ishte larguar nga Kosova për të jetuar në Kroaci.

Pse u padit Lluka?

Por çfarë pretendon Dalladaku dhe pse ai beson se Lluka ia ka borxh atij një shumë prej 141 mijë eurosh.

Lluka, sipas Dalladakut, ende nuk e ka kryer një obligim ndaj tij e vëllait të tij Fatmirit.

Thotë se Lluka i obligohet për një borxh në vlerë prej 141 mijë e 72 euro.

Ky borxh, sipas tij, u grumbullua gjatë periudhës gjashtë mujore nga prishja e raporteve e deri tek marrëveshja për shitjen e aksioneve.

Dalladaku thotë se gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar në vazhdimin e punimeve në ndërtim të objektit dhe është shpenzuar duke paguar furnitorët e njerëzit që kanë punuar në objektin e spitalit privat.

Dalladaku më 13 maj të vitit 2014 ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Përmes kësaj padie, Dalladaku pretendon se Lluka nuk e ka zbatuar pikën 12 të marrëveshjes së 26 marsit 2011, që thotë se :

“Bartësi final i aksioneve obligohet të bëjë kompensimin e të gjitha obligimeve ligjore dhe financiare ndaj furnitorëve, punëtorëve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve te Qendra Kardiale e Kosovës”, thuhet në këtë pikë të marrëveshjes.

Biznesmeni Dalladaku nëpërmjet padisë së tij kërkoi nga gjyqi që të bëhet edhe bllokimi i mjeteve monetare në llogaritë bankare të Ekrem Llukës derisa të bëhet kthimi i borxhit.

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Halide Reka më 15 shtator 2014 kërkoi nga Dalladaku të dhëna shtesë lidhur me kërkesën e tij për bllokimin e llogarive.

Gjyqtarja kërkoi që të precizohen emrat e bankave në të cilën ndodhen llogaritë afariste apo personale si dhe numrat e xhirollogarive për të cilat kërkohet caktimi i masës së përkohshme.

Megjithatë pas dy muajsh gjyqi nxorri vendim që kërkesa për bllokim të llogarisë së Llukës nuk është e qartë dhe e plotë.

Më 29 dhjetor 2014, gjyqtarja Reka morri vendim që të refuzohet si e pabazuar kërkesë-padia e Faton Dalladakut për bllokimin e mjeteve monetare në llogaritë bankare të Ekrem Llukës.

“Gjykata pas shqyrtimit të propozimit për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit si dhe provave të bashkangjitura vlerëson se propozuesi i sigurimit në këtë fazë të procedurës gjykatës nuk ia ka bërë të besueshme pretendimin e tij se masa e sigurimit është e bazuar ngase nuk e ka vërtetuar faktin e mospërmbushjes së marrëveshjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 29 dhjetor 2014 të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

I pakënaqur, Faton Dalladaku ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Por ankesa e tij është refuzuar edhe nga Gjykata e Apelit më 17 mars 2015, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë Arbër Jashari, zyrtar informimi në këtë gjykatë.

Por Faton Dalladaku përkundër që kërkesa e tij për masë të përkohshme të bllokimit të llogarisë është refuzuar pret që gjyqi ta shqyrtojë padinë e tij për kompensim në vlerë prej 141 mijë e 72 euro.

Komuna e Prishtinës në dijeni për problemet mes Llukës dhe vëllëzërve Dalladaku

Për problemet mes ortakëve Dalladaku- Lluka, në ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit “Qendra Kardiale e Kosovës”, janë në dijeni edhe zyrtarët e Komunës së Prishtinës.

Miranda Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunën e Prishtinës tha se ky institucion është njoftuar gjatë vitit 2013 se ndërtesa e spitalit “Qendra Kardiale e Kosovës”, është shitur nga Ekrem Lluka.

“ Vitin e kaluar jemi informuar nga këto palë se prona është shitur, (po flasim për ndërtesën sepse prona/toka i takon Komunës) nga Ekrem Lluka tek pronari i ri, Spitali Amerikan me ç’rast ata kanë shprehur dëshirën që ta hapin spitalin”, tha Mullafazliu.

Aktualisht në objektin ku ishte paraparë të hapej spitali Qendra kardiake e Kosovës , është duke i bërë përgatitjet për hapje Spitali Amerikan.

Driton Ukmataj, drejtor i Spitalit Amerikanë, nuk ka dashur të flas për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me objektin në afërsi të QKUK-së.

Edhe Lluka nuk ka kthyer përgjigje lidhur me kalimin e pronësisë së objektit nga ai tek Spitali Amerikan.