Chiellini i bashkohet kampanjës për t’i ndihmuar futbollistëve të përgatiten për pensionimin

Kampanja “Mendoje Zbrazëtinë” synon t’i mbështet lojtarët në një karrierë të dytë pas pensionimit nga futbolli, dhe mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini iu ka bashkuar kësaj kampanje.

Chiellini që është i diplomuar në nivelin Bachelor për Ekonomi dhe në Master për Administrim Biznesi do të tentojë të inspirojë futbollistët të përgatiten për jetën pas futbolllit.

“Si futbollist në moshën 20 vjeçare ndiheni i pashkatërrueshëm dhe i aftë të bëni gjithçka në futboll. Por kur bëheni 35 vjeçar karriera juaj merr fund. Pastaj keni jetën përpara dhe të dini vetëm të luani futboll nuk mjafton. Vetëm disa lojtarë arrijnë të gjejnë sërish punë rreth futbollit”, nënvizoi Chiellini.

Sipas FIFAPro vetëm 13% e futbollistëve aktiv në Europë kanë kualifikime të larta të edukimit. Chiellini e vë theksin te ky fakt duke kujtuar rreziqet që futbollistët mund të përballen me depresionin apo problemeve financiare.

“Secili futbollist i ka shijet e veta dhe ata mund të zgjedhin se cilën rrugë duan të zgjedhin pas futbollit. E rëndësishme është të bësh ndonjë gjë. Si futbollist duhesh të fillosh të mendosh për jetën pas futbollit në fillim të karrierës dhe jo në fund”, përfundoi Chiellini.