Chelsea ul pagat/ E para vullnetare në Premiership

Chelsea do të bëhet skuadra e parë në elitën e futbollit anglez që do të aplikojë vullnetarisht uljen e pagave, një nismë e cila u krijua në rrjetet sociale nga mbrojtësi Azpilikueta e që do të materializohet në borderotë e klubit të pasur londinez.

Reduktimi përfaqëson 10% të totalit dhe do të nisë nga muaji Maj, me futbollistë e bluve që kanë pranuar këtë politikë që të vazhdojë deri në fundin e sezonit, të parashikuar në Shtator.

Situata e shkaktuar nga Coronavirusi në Britaninë e Madhe vazhdon të jetë e vështirë dhe numërohen qindra viktima kur javë më parë shumëkush tallej me pandeminë. Ishullorët do të qëndrojnë në izolim dhe në tre javët e ardhshme, kjo si mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit por liga që fiton më shumë nga sponsorët dhe të drejta televizive, ka ecur pak në këtë diskutim më shumë moral sesa financiar.

Për tifozët është e pakuptueshme që një futbollist që fiton 300 mijë paund në javë, të refuzojë uljen, por shembulli i fundit te Celsi, mund të ndikojë pozitivisht. te blutë e Londrës, një shembull të qartë dha trajneri Lampard me shkurtimin 25% të pagës, bashkë me stafin ndihmës.