Chelsea planifikon goditje të trefishtë, në bisedime me Interin për Skriniarin dhe dy futbollistë tjerë

Pas marrëveshjes me Romelu Lukakun, raportohet se Chelsea dhe Interi mund të bëjnë edhe marrëveshje tjera.

Sipas raportimeve nga Italia, klubi nga Londra po kërkon transferimin e tre futbollistëve të “Nerazzurrëve” – Milan Skriniar, Denzel Dumfries dhe Cesare Casadei.

Chelsea ka qenë e lidhur me të tre këta futbollistë, por ideja për të bërë marrëveshje të trefishtë padyshim se do të trondiste tregun e transferimeve.

Të dy klubet kanë raporte të mira mes vete, siç tregohet nga marrëveshjet lidhur me Romel Lukakun, që ndihmuan Interin të përmirësoi gjendjen financiare.

Dhe, shitja eventuale e tre futbollistëve të lartpërmendur padyshim se do të përmirësonte edhe më shumë financat te klubi nga “Guiseppe Meazza”.

Sipas “Calciomercato”, negociatat janë duke vazhduar për mbrojtësin Skriniar për çmimin mbi 70 milionë euro, mbrojtësin e krahut Dumfries për 40 milionë euro dhe mesfushorin e ekipit të të rinjve Casadei për afro 20 milionë euro.

Nëse do të arrihet marrëveshja dhe të tre futbollistët do të kalonin në “Stamford Bridge”, kostoja totale do të ishte 130 milionë euro.