Chelsea fiton bindshëm dhe bëhet lider në Angli

Skuadra londineze e ka mposhtur Southamptonin me rezultatin 3-0 në kuadër të javës së tetë në Premierligë, të dielën në “St. Mary Stadium”.
Chelsea iu është kthyer fitores pas dy barazimeve radhazi në Premierligë, dhe me këtë fitore është ngritur në vendin e parë në tabelë përkohësisht me 20 pikë, pasi Manchester City dhe Liverpooli ndeshen sot prej orës 17:30, të cilat i kanë nga 19 pikë.

Golin e parë për skuadrën e Chelseat e shënoi Eden Hazard në minutën e 30’, i cili ishte goli i tij i shtatë në këtë stinor të Premierligës.

Goli i dytë i ndeshjes nga Chelsea u shënua në pjesën e dytë. Ross Barkley arriti ta shënojë golin e dytë për skuadrën e tij, pas një pasimi të Olivier Giroud, duke e dërguar rezultatin në 2:0.

Në minutën e fundit të ndeshjes u kujdes sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata, i cili e shënoi golin e tretë për Chelsean, që e konfirmoi fitoren e pastër të “Bluve” si mysafir ndaj Southamptonit.

Southamptoni nuk u tregua i rrezikshëm në shtëpi të tij, pasi nuk arriti ta shënojë asnjë gol, dhe kjo ishte humbja e pestë në këtë stinor të Premierligës.

Chelsea në ndeshjen e ardhshme luan në shtëpi kundër Manchester Unitedit, ndërsa Southamptoni i shkon si mysafir Bournemouthit.