Challandes thotë se Kombëtarja e futbollit ia ka krijuar Kosovës një imazh të mirë në Zvicër

Kosova nuk kishte imazh të mirë në Zvicër deri vonë, por ekipi kombëtar i futbollit ua ka ndërruar mendjen zviceranëve, të cilët tani mahniten nga atmosfera dhe ushqimi në vendin e Ballkanit, sipas trajnerit Bernard Challandes.

Duke folur të hënën në një konferencë për media në Prishtina, para ndeshjes vendimtare të verdhekaltërve kundër Republikës së Çekisë në kualifikime për Euro 2020, trajneri i Kosovës Bernard Challandes zbuloi se në vendlindjen e tij ishin skeptikë kur ai e mori drejtimin e Kombëtares më të re në Evropë.

Por në një periudhë më të shkurtër së dyvjeçare, 68-vjeçari është buzë historisë me Kosovën.

Jo vetëm që i ndihmojë Kosovës të arrijë rezultate të paparashikueshme duke e fituar Grupin 3 në Ligën D në garën më të re evropiane, Ligën e Kombeve, dhe dërgimit të verdhekaltërve buzë kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2020, por Challandes ia ndryshoi imazhin Kosovës si të tërë në sytë e botës, përfshirë vendlindjes së vet, Zvicrës.

“Në Zvicër fillimisht kanë qenë skeptikë, por tash kur e shohin se si jemi duke kaluar, më thonë se e ke bërë zgjedhjen e duhur. Unë jam i lumtur që jam këtu. Tash ata vijnë t’i shohin ndeshjet. Ju pëlqen ushqimi dhe atmosfera në Kosovë. Nuk e ka pasur imazhin aq të mirë Kosova, bashkëshortja dhe miqtë e kanë kuptuar se përse e kam marrë punën te Kosova”, tha Challandes në Prishtinë.

Që prej se u emërua trajner në fillim të 2018-es, Challandes i ka regjistruar 11 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje me Kosovën në 17 ndeshje në përgjithësi.

Ai mund ta shkruajë historinë nëse ia del ta kualifikojë vendin në Evropian në tentim e parë. Kosova takohet me Çekinë në Pragë të enjten dhe pastaj me Anglinë në Prishtinë të dielën.

Kosovës i duhet fitorja më patjetër të enjten, sepse humbja e dërgon Çekinë dhe po ashtu Anglinë drejtpërdrejt në Evropian. Barazimi e mban matematikisht në garë për kualifikim në ndeshjen e fundit, por me gjasa skajshmërisht të vogla për kualifikim.

Anglia do ta sigurojë kualifikimin së paku me një barazim kundër Malit të Zi dhe pritet ta vizitojë Prishtinën si kombëtare e kualifikuar tashmë.

Fitorja kundër Çekisë dhe të paktën një barazim kundër Anglisë apo dështimi i Çekisë kundër Bullgarisë në ndeshjen e fundit, do ta dërgonte Kosovën në Evropian mu në përpjekjen e saj të parë dhe më pak se katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Por Kosova do ta ketë një mundësi të dytë dhe përfundimtare për kualifikim në Evropian, nëse dështon ta bëjë përmes rrugës tradicionale, atë përmes play-off në Ligën e Kombeve.

Si fituese e D3 në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve, Kosova është në gjysmëfinale, ku në mars do të takohet me Maqedoninë e Veriut dhe në rasti triumfi, do ta zhvillojë edhe një ndeshje finale kundër fituesit të çiftit tjetër gjysmëfinal mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

loading…