Challandes konfirmon se Milot Rashica është lënduar

Kosova e filloi me barazim Ligën e Kombeve pasi u nda me rezultat 1-1 me Moldavinë në ndeshjen që u zhvillua në Parma të Italisë.

Benjamin Kololli shënoi golin e vetëm për Dardanët që në këtë sfidë u paraqit si qendërsulmues.

Milot Rashica u zëvendësua në pjesën e dytë dhe duket se ka pësuar një lëndim në gju, shkruan Indeksonline.

Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Bernard Challandes në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Rashica ka pësuar një lëndim të vogël, por nuk duket që është serioz. Nuk mund ta di sigurt, nuk jam mjek. Ai pësoi lëndim në një situatë të ndeshjes”, deklaroi Challandes.

“Pas lëndimit, ne duhej ta zëvendësonim atë për të mos rrezikuar me gjendjen e tij”, shtoi ai.

Rashica do të kthehet në Gjermani ku edhe ashtu nuk ishte lejuar që të luaj në Prishtinë ndaj Greqisë.