Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë për Gazeta Blic se tërheqja e kërkesës së presidentes nuk lidhet me kërkesat e PDK-së e LDK-së, por që minon besimin e gjykatës.

Ai thotë se gjykata do të duhej të nxirrte një vendim lidhur me situatën më 8 gusht.

“Tërheqja e kërkesës së presidentes nuk ndërlidhet me kërkesat e PDK-së dhe LDK-së. Por, mënyra e tërheqjes nga presidentja e minon besimin e kësaj gjykate dhe po ashtu mund të mos pranohet nga palët vendimi që do të merret. Mendoj se përtej tërheqjes, Gjykata Kushtetuese do të duhej të nxirrte një vendim që trajton kërkesat e PDK-së dhe LDK-së në radhë të parë dhe së dyti që i jep drejtim situatës me pasojat juridike që duhet t’i bartë Kuvendi për mos respektim të afatit kushtetues 30 ditor”, thotë ai.

Cakolli thekson se presidentja duhet të qartësojë para publikut se pse ka heshtur përgjatë tërë kësaj periudhe.

“Unë besoj se presidenca, vet presidentja është dashur ta qartësojë dhe t’i iniciojë procedurat. Është e papranueshme nëse ajo ka pasur informacione dhe nuk i ka deponuar në prokurori. Ata nuk kanë imunitet për veprimet e tyre jashtë përgjegjësive si gjyqtar. Unë mendoj se është detyrë e Osmanit që të sqarojë para publikut se pse ka heshtur përgjatë tërë kësaj periudhe”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, Cakolli ka sqaruar se shkarkimi i gjyqtarëve mund të bëhet vetëm nga Gjykata, por që në një situatë të tillë do ta fuste vendin në krizë më të rëndë e më serioze kushtetuese në historinë e tërë Kosovës që nga paslufta.

“Shkarkimi i cilitdo gjyqtar mund të bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese por duhet cekur se shkarkimi i cilitdo gjyqtar në këtë fazë do të nënkuptonte që vendi mbetet pa vendimmarrje nga Gjykata, sepse mbesin vetëm 6 gjyqtarë dhe duhet të jenë 7. Ne s’kemi kuvend të ri për t’i zgjedhur ata që janë në procedurë, andaj pa kuorumin prej 7 gjyqtarësh s’mund të kemi vendimmarrje për asnjë çështje e që rrezikon ta fusë vendin në krizë më të rëndë e më serioze kushtetuese në historinë e tërë Kosovës që nga paslufta”, ka deklaruar Eugen Cakolli.