Çfarë trajtimi do të ketë ish-ministri maqedonas në burgun e Shutkës

Mure të larta, tela me gjemba dhe lëvizje e rreptë e kontrolluar në pjesën e paraburgimeve në burgun e Shutkës. Por, edhe krahas grilave dhe mureve të burgut, në burg shpejtë u përhap lajmi se në mëngjesin e sotëm do të sillen ish funksionarë të lartë. Rreth orës katër të mëngjesit, të burgosurit në burgun e Shutkës u zgjuan nga një lëvizje e pazakontë. Në burgun hetues u sollën Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski.

Ndryshe, ish funksionarët e lartë nuk do të kenë trajtim VIP në burg. Nuk do të vendosen në të ashtuquajturat “dhoma të Hagës” të cilat sipas kritereve të burgut ofrojnë më shumë luks dhe komoditet, leverdi që i posedon biynesmeni Orce Kamçev, gjithashtu i arrestuar këto ditë.

Edhe pse Alsat siguroi leje që të incizojë nëpër burg, megjithatë qasja deri tek të paraburgosurit është e pamundur pa lejen e gjykatës.

Por, në pjesën e paraburgimeve, Janakieski dhe Bozhinovski nuk do të mund të shihen mes vete sepse akuzohen në rastin e njëjtë. Të dy, në oborrin e burgut do të mund të shihen me të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit, por edhe me Kamçevin. Autoritetet e burgut nuk folën shumë për rastet aktuale të paraburgimit.

Një dhomë ka qenë e përgatitur për Gruevskin. Njerëzit të cilët janë të dënuar dhe presin sistemim, ndajnë një banjo që është në gjendje të keqe dhe një tualet me kushte edhe më të këqija. Udhëheqësi i sektorit për ri-socializim, Marijan Joshevski, është i prerë- gjatë ardhjes së të dënuarve në Shutkë, statusi shoqëror që e kanë në liri nuk është më i vlefshëm. Pas portës së burgut, në fuqi hyjnë rregullat e burgut.

“Status social dhe shoqëror, jo absolutisht. Janë të nevojshëm parametra të tjera gjatë vendosjes dhe mënyrës se si do të bëhet klasifikimi, nëse ka procedura të tjera, vepër penale, arsyetimi i tij gjatë vuajtjes së dënimit në repartin e pranimeve dhe një numër të madh i të dhënave të tjera që ndikojnë në atë se çfarë klasifikimi dhe trajtimi do t’i përcaktohet një personi të caktuar, deklaroi Marijan Joshevski, udhëheqës i Sektorit për risocializim.

Një kabinë e vogël që është shndërruar në një sallë të vogël fitnesi është një nga aktivitet e të dënuarve. Atmosfera në repartin e hapur dhe gjysmë të hapur është e relaksuar. Kushtet janë pak më të mira. Të burgosurit në pjesën e hapur kujdesen për pastërtinë e qelive. Ata kanë televizorë, bibliotekë me mbi 2.000 libra, por gjithashtu edhe një dhomë ku mund të shihni televizor në grup. Motin që sot ishte me diell e shfrytëzuan të burgosurit. Një pjesë shëtiste, një pjesë ngroheshin në diellin e nëntorit.

U larguam nga burgu i Shutkës i cili u bë shumë popullor pas njoftimit se Gruevski do të jetë i burgosur këtu./Alsat-M/