Çfarë shkruanin mjekët Besim Ymaj e Besim Latifaj që asisituan në autopsinë e trupit të Astrit Dehairit (Raporti i Plotë)

Tre raporte nga ekspertë të ndryshëm janë kryer për të hedhur dritë mbi vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Pak ditë pasi që Dehari kishte ndërruar jetë, dy versione të ndryshme kishin dalë për këtë rast. Mjekësia Ligjore fliste për vetëvrasje, e ekspertët që kishte angazhuar familja flisnin për vrasje. Tre vite më vonë, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë ka kërkuar hetime të reja, duke hedhur poshtë konstatimet e prokurorisë së Kosovës se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje dhe duke rekomanduar hetime të reja. Gazeta Express sjell të plotë raportin e dy ekspertëve Besim Ymajt dhe Besim Latifajt që kishin konstatuar se Dehari ishte vrarë.

Vdekja e mistershme e Astrit Deharit, tre vite më parë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, pati ngritur dilema të shumta se çka kishte ndodhur atë ditë në Qelinë ku po qëndronte në mbajtje ish-aktivisti i Vetëvendosjes.

Edhe më të turbullt ngjarjen e kishin bërë deklaratat kundërthënëse të dhëna menjëherë pas lajmit se Dehari kishte vdekur. Zyrtarët e shtetit deklaronin publikisht për skenarë të ndryshëm.

Në ditën kur edhe do të kryhej autopsia që mendohej të hidhte dritë mbi mënyrën se si Dehari kishte vdekur, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë familja kishte kërkuar që të angazhonin edhe dy mjekë ligjorë si ekspertë të pavarur, pasi që të njëjtit që nga fillimi kishin hedhur dyshime mbi hetimet që do t’i bënte shteti i Kosovës.

Familja Dehari kishte angazhuar dy mjekë, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj, patolog në Londër. Këta të dy për dallim nga mjekët ligjorë të IML-së (Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi), patën dalë me përfundime tjera për arsyet e vdekjes së Astrit Deharit.

Derisa nga Instituti i Mjekësisë Ligjore thonin se raporti i autopsisë kishte bërë të ditur se Astrit Dehari kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike, ekspertët Ymaj dhe Latifaj kishin deklaruar se vdekja kishte qenë e dhunshme dhe kishte ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme.

Megjithëse ekspertizat e kryera nga të dy grupet e ekspertët patën dallime rrënjësore, ministrja e atëhershme e Drejtësisë Dhurata Hoxha kishte kërcënuar dy ekspertët dhe avokatin mbrojtës të familjes Dehari, Tomë Gashi me hetime që i kishte kërkuar përmes një letre drejtuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.

“Kërkojmë autorizimin e fillimit të hetimeve për z.Tomë Gashi, avokat, z. Besim Ymaj ekspert i mjekësisë-ligjore dhe Besim Latifaj, patolog,” shkruhej në letrën e Hoxhës për Lumezin. Kjo sipas ish-ministren me pretendimin se këta kishin bërë shkelje të detyrës zyrtare, pasi që kishin dalë me këto pretendime. Të njëjtët më vonë ishin marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve.

Raporti i tyre ani pse ishte dorëzuar te prokurori i rastit, nuk kishte ndryshuar asgjë sa i përket rrjedhjes së hetimeve, sepse rasti ‘Dehari’ deri vonë vazhdoi që të cilësohet si vetëvrasje. Kjo deri pak ditë më parë kur edhe është kthyer ekspertiza e Institutit Mjekësor të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Aty hidhen dyshime se mund të ketë përfshirje të një personi të tjetër (personi i tretë thuhet në përkthim edhe pse ata që e kanë kontestuar përkthimin thonë se bëhet fjalë për një person tjetër), në rast, derisa kërkohen hetime të reja që vërtetojnë atë.

Patologu Besim Latifaj deklaroi pas publikimit të ekspertizës së ardhur nga Zvicra se prokurorët e Kosovës e kishin hedhur në kosh të mbeturinave raportin e tyre, e se u kërcënuan që do të ndiqen penalisht. I njëjti tutje tha se për tre vite nuk ka guxuar që të vijë në Kosovë nga frika se do të burgoset e do të përfundojë si Astrit Dehari.

Gazeta Express ka siguruar të plotë raportin që kishin kryer tre vite më parë dy ekspertët e pavarur të familjes, Besim Ymaj e Besim Latifaj.

Aty bëhet e ditur se autopsia që është kryer në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ka filluar në ora 15:05 derisa ka mbaruar në ora 17:30.

Në këtë ekspertizë jepen detaje për të dhënat që janë gjetur në vend të ngjarjes derisa janë të shkruara edhe raportet e QKRM-të, raporti i Inspektimit, Ministrisë së Drejtësisë si dhe dëshmitë e deklaruara të personave që kanë dijeni për ngjarjen. Infermierja kujdestare kishte deklaruar se Dehari ka kryer vetëvrasje derisa urgjentisht ishte thirrur emergjenca. Gjatë tërë raporteve zyrtare të lëshuara nga institucionet për atë ditë, shkruhet se Dehari ishte vetëlënduar.

Shkaku i vdekjes së Astrit Deharit në këtë raport thuhet se është asfiksia mekanike traumatike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (pengesa mekanike) e mungesa e oksigjenit në organizëm. Aty jepen edhe detaje të dëmtimeve në pjesë të ndryshme të trupit të Deharit.

“I gjithë plani hetimor operativ duhet të shtrihej që në fillim si një vdekje e dhunshme gjersa janë konstatuar dëmtime traumatike, duke evituar mendimet paraprake sepse një orjentim jo profesional është shumë i keq në këtë proces”, shkruhet në dokument.

“Mënyra e ardhjes së vdekjes ka qenë (hipoksia) mungesa e oksigjenit në organizëm si pasojë e kësaj ndërprerje. Në bazë të dhënave anatomo-pathologjike dhe mikroskopike tempi i ardhjes së vdekjes ka qenë i shpejtë (atypëratyshëm). Koha e vdekjes ka qenë jo më shumë se 48 orë nga koha e fillimit të autopsisë. Tek kufoma janë konstatuar dëmtime të jashtë të ndryshme (gërvishje, ekimoza, dërmishje) në indet e kavitetit të gojës, laceracione (plagë), ekimoza dhe abrazione ndërsa në brendësi ndryshime parankimatoze të organeve të natyrës asfiktike (ndryshimet histologjike në tru dhe mushkri). Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete prerëse dhe të forta, të shkaktuara për së gjalli.

Asfiksia në shkakun e vdekjes klasifikohet e dhunshme me ndërprerje të plotë të frymëmarrjes dhe vdekja e shpejtë, me dëmtime në trajtë simulimi dhe shenja vetëmbrojtjes.

loading…