Çfarë po i ndodh Putinit, mezi i thotë disa fjalë nga kolla dhe zënia e fytit

Kremlini të mërkurën u detyrua t’i mohonte dyshimet se presidenti rus, Vladimir Putin, ka ndonjë problem shëndetësor pasi ai u kollit disa herë gjatë kohës kur e kishte fjalën në një takim virtual me zyrtarët shtetërorë.

Videoja më vonë u editua dhe në të dukej se kollitja e Putinit ishte më e lehtë, kur pamjet u publikuan nga zyra e presidentit.

Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, e pyeti Kremlinin për shëndetin e Putinit, por zyrtarët thanë se gjendja e presidentit rus është absolutisht normale. “Presidenti kërkoi falje dhe e vazhdoi takimin pothuajse pa pauzë”, shkroi kjo agjenci.

Ndryshe nga udhëheqësit tjerë botërorë, si Boris Johnson e Donald Trump, besohet se Putini deri më tani e ka shmangur infektimin me koronavirus.

Pavarësisht se Rusia i ka miratuar dy vaksina kundër COVID-19, Putini nuk e ka marrë asnjërën prej tyre. Ai ka qëndruar kryesisht i izoluar muajve të fundit pasi në prill kishte pasur kontakte me mjekë të infektuar në një klinikë të Moskës.