Irani dhe Shtetet e Bashkuara po sinjalizojnë afrimin e një marrëveshjeje që do ta shndërronte armëpushimin ekzistues, i cili i dha fund disa javëve konflikt, në një zgjidhje më afatgjatë.

Palët po diskutojnë një “memorandum mirëkuptimi”, i cili pritet të përcaktojë një udhërrëfyes për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, ndonëse marrëveshja përfundimtare nuk pritet të arrihet menjëherë.

Sipas burimeve të njohura me zhvillimet, CNNthotë se draftet aktuale të memorandumit parashohin rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit, si dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane. Pas kësaj do të niste një afat prej 60 ditësh për të finalizuar detajet e tjera të marrëveshjes.

Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar për CNN se korniza e propozuar synon të sigurojë që Irani të mos posedojë armë bërthamore dhe të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar, ndërsa zbatimi i marrëveshjes do të monitorohej në mënyrë të rreptë, transmeton Klankosova.tv.

“Pa zbatim nuk ka përfitime”, është shprehur zyrtari, duke theksuar se hapja e Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimi i kufizimeve do të varen nga përmbushja e kushteve.

Megjithatë, mediat shtetërore iraniane kanë shprehur dyshime se memorandumi mund të finalizohet, duke theksuar se ende ekzistojnë mosmarrëveshje për disa pika të dokumentit.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të nxitohen drejt një marrëveshjeje, duke shtuar se çdo ujdi me Iranin do të jetë ndryshe nga ajo e administratës së mëparshme të Barack Obamës.

Ndërkohë, negociatat mbeten të hapura dhe palët vazhdojnë diskutimet mbi çështjet kryesore që përfshijnë programin bërthamor iranian dhe lehtësimin e sanksioneve ekonomike.