Çfarë ndodhi me karrierën e Arda Turan

Arda Turan ka pasur një reputacion të mirë, duke u cilësuar si njëri ndër mesfushorët më efektivë, që kontribuonte në sulm dhe në mbrojtje.

32-vjeçari për momentin po luan për klubin turk Istanbul Basaksehir, pasi që u huazua nga Barcelona.

Por mbi të gjitha, Arda Turan, është duke u përballur me probleme ligjore, dhe rrezikon 12 vite burg, pasi dyshohet se ka bërë krime të ndryshme.

Turan përballet me akuza për ngacmim seksual, hyrje të palejueshme në disa evente të ndryshme, mbajtje të armës pa leje dhe gjuajtje me armë në mënyrë për të shkaktuar panik.

Më 10 tetor të vitit të kaluar, nën efektin e alkoolit dhe drogës, ai sulmoi yllin e muzikës turke Burkey Sahin, në një klub nate. Në atë klub, Turan iu afruar gruas së këngëtarit duke i thënë “je shumë e bukur, po të mos ishe e martuar, nuk do të të lëshoja” raportojnë dëshmitarët. Me këtë veprim këngëtari reagoi duke u përfshirë në përleshje me Turan dhe përfundoi me hundë të thyer.

Sikur të mos mjaftonte edhe kjo, Turan shkoi në spitalin ku ndodhej këngëtari me armë në dorë, duke ia dhënë atij armën dhe duke i thënë: Më gjuaj!

Këngëtari refuzoi ta merrte armën dhe në atë moment Arda Turan kishte gjuajtur në dyshemenë e spitalit.

Sipas ligjit turk, këto akuza mund ta dërgojnë Arda Turanin 12 vite prapa grilave.

Është shumë dëshpëruese për fansat e tij që ta shohin një lojtar kaq të mrekullueshëm, të përfundojë në mënyrë të tillë.