Vetëvendosje dorëzoi sot kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në tenderin për furnizim me qumësht.

E njëjta u dërgua sot në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Lidhur me të njëjtat zhvillime, për herë të parë ka reaguar sot vetë Shpend Ahmeti.

Ai përmes një postimi të gjatë në Facebook, ka shpjeguar ecurinë e këtij procesi që ai thotë të ketë qenë krejtësisht i rregullt.

Ahmeti madje ka hedhur akuza të ashpra edhe ndaj kryetarit të VV-së, Albin Kurtit.

Ndër tjerash, Ahmeti përmendi edhe një fakt.

“Po sulmojnë programin më bujar të mundshëm me koston më të lirë të mundshme. Të gjitha furnizimet të cilat po i përmendin janë në kohën kur unë kam qenë në VV. Dhe tash Albini fshihet prapa Valdrinave të cilët vetë i përjashtoi për hajni në VV, e hedh gurin dhe e fsheh dorën”, tha Ahmeti.

Kur përmendi Valdrinat, Shpend Ahmeti e kishte me Valdrin Ahmetin, aktivistin e VV-së që sot dorëzoi kallëzimin penal për të.

Por çfarë kishte ndodhur me Valdrin Ahmetin të cilin e kishte përjashtuar VV-ja.

Prijësi dhe një ndër nxitësit më të mëdhenj të protestave dhe aksioneve të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivisti Valdrin Ahmeti, në verë të vitit 2011 kishte dalë para Komisionit Disiplinor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ishte degraduar nga pozita e sekretarit të Sekretariatit për Logjistikë në shef të sektorit për Logjistikë brenda Sekretariatit, shkruan Ballkani.info.

Valdrin Ahmeti e kishte përvetësuar një veturë që i ishte dhuruar Lëvizjes Vetëvendosjes gjatë fushatës së zgjedhjeve në dhjetor të vitit 2010, dhe për këtë e kishte pranuar fajin para Komisionit Disiplinor dhe kishte kërkuar falje.

Në atë kohë Hysen Durmishi, ish drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë në Komunën e Prishtinës, ishte përgjegjës për financa në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe i njëjti kishte marrë vërejtje me gojë për shkak se është treguar neglizhent ndaj këtij rasti.

Në vitin 2015, ish zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi, tash deputet i PSD-së, kishte thënë se këto informata janë të pavërteta dhe shpifje, pa e komentuar më gjatë rastin.

Disa nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin thënë se ka të vërteta në këtë informatë.

Rron Gjinovci aktivist politik dhe ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje kishte thënë se këto informata janë të vërteta, dhe se Valdrin Ahmeti ka dalë përpara Komisionit Disiplinor të Lëvizjes Vetëvendosje për përvetësim të veturës që i ishte dhuruar Vetëvendosjes nga një kompani biznesi.

“Po është e vërtetë që Valdrin Ahmeti ka qenë pjesë e një shqyrtimi disiplinor në Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje për përvetësim të pronës që ai ka tentuar të bëj. Është fjala për një veturë që dikush ia pati dhuruar Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq Valdrini e pati shpallur si pronë të vehten, duke thënë se e ka blerë”, ka pohuar Rron Gjinovci.

Gjinovci, i cili në atë kohë ishte pjesë e Vetëvendosjes thotë se Ahmeti për këtë arsye është degraduar nga pozita që ai mbante. /Ballkani.info/