Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për taksën e re prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Limaj është pyetur në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se çfarë duhet të bëjë Serbia, që Kosova t’ia heqë taksën e vënë të mërkurën.

“Duhet të ndalë diplomacinë agresive, shpifëse”, ka deklaruar ai.

“Serbia po i prish urat e bashkëpunimit, po i prish themelet e CEFTA’s”, është shprehur Limaj.

Ai ka thënë se ajo që duhet të bëjë gjithashtu Serbia është “pranimi i krejt dokumentacionit të Republikës së Kosovës. Ato që ne ia pranojmë Serbisë”.

Taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet derisa ajo nuk e trajton Kosovën njëjtë siç e ka trajtuar Kosova atë.