Burime diplomatike nga Brukseli kanë rikonfirmuar për gazetën greke “Kathimirini” të martën e 12 dhjetorit qëndrimin e Greqisë se nuk do të pranojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE pa progres për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Qëndrimi grek, i komunikuar palës shqiptare, thekson se çështja konsiderohet si një vendim politiko-administrativ, jo një çështje pavarësie gjyqësore.

Greqia kërkon lejen e kryetarit të zgjedhur për t’u betuar dhe për të ushtruar të drejtat politike.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së diskutoi të martën çështjet e zgjerimit, duke përfshirë shkëputjen e mundshme të pranimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Udhëheqësit e BE-së, në projekt-konkluzionet e tyre të Samitit, përsëritën angazhimin për integrimin e Ballkanit, duke kërkuar një proces të përshpejtuar pranimi. Negociatat e Bosnje-Hercegovinës do të fillojnë me plotësimin e mjaftueshëm të kritereve, siç udhëzohet në projekt-konkluzionet.

Të hënën kërkesa e Belerit për leje të posaçme për betimin si kryetar bashkie u rrëzua nga gjykata shqiptare e apelit.

Një muaj më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sa i takon kësaj çështje pati thënë se nëse “duan të bllokojnë le të bllokojnë, por ne nuk cenojmë reformën. Skemi fuqi as do përdorim fuqinë e pushtetit ekzekuiv për të ndikuar te drejtësia”.

“Ne s’kemi për çfarë të ndryshojmë mendje. Topi nuk është në fushën tonë që ne të shkojmë ta kapim këtë top duhet të shkojmë te fuisha ne drejtësisë. Çështja është në gjykatë. Nëse gjykata shprehet do të shohim si do vazhdojë”.

Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për tre grup-kapitujt e deri në fund të vitit 2023. Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike.

Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Evropian të shteteve anëtare të BE. Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.