Çerkini kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Java e të Pagjeturve u mbyll zyrtarisht të premten përmes homazheve dhe organizimeve të ndryshme të cilat shënuan Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Janë plot dy dekada që kërkohen eshtrat e të pagjeturve, të cilët u vranë e u zhdukën në luftën e fundit në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, i cili edhe ai vet kërkon të zbardhë të vërtetën për djalin e tij, thotë se dhimbja e familjarëve të personave të pagjetur nuk shuhet, por po zbehen shpresat e tyre, ashtu si edhe puna e institucioneve për të kërkuar të paktën eshtrat e mbi 1600 personave që ende mungojnë.

Ai thotë Serbia e di se ku janë varrezat por se nuk dëshiron të tregojë, derisa e sheh të domosdoshëm ndërhyrjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sipas Çerkinit, Bashkësia Ndërkombëtare ka fuqi politike dhe ekonomike dhe mund ta kushtëzojë Serbinë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Merre me mend kanë marrë një aparat prej Indie, por njeri është i gjallë, oficeri është i gjallë që i ka çu aty, e neve na thuhet se nuk e dimë se ku i kemi lënë. Serbia e dinë, por nuk dëshiron të tregojë pa ua bërë një kusht jashtëzakonisht të madh se Bashkësia Ndërkombëtare ka fuqi edhe politike, po ka edhe fuqi ekonomike ta bllokojë derisa të na kthejnë më të dashurit”, tha Çerkini.

Ai tha se po trumbetohet se është kryer rreth 70% e punës më çështjen e të pagjeturve, por sipas tij, nuk është bërë as 40% dhe thotë se deklarimet e tilla e kanë bërë të ndihen keq.

“Është ka flitet se 70% është kry puna në Kosovë e personave të pagjetur, kjo jashtëzakonisht ma vret veshin. Në Kosovë asgjë nuk është bërë fshehtë. Në Kosovë kurrgjë nuk ka që nuk dihet ku janë. Ne pas luftës kemi gjet me qindra vet mbi tokë, me qindra njerëz të vdekur kemi gjetur në xhamia, nëpër oborre, nëpër fusha dhe thuhet kemi kry punë 70% është jo normale. Nuk kemi kry punë sa duhet. Janë 2 mijë vetë pa ADN të varrosur e kur dalin para opinionit ‘jo kemi punuar shumë, kemi bo 70%-shin’ është për mua shumë e prekshme. Për mu nuk është bërë 70%, as 40% për shkak të disa sendeve familjarët i kanë gjetur vet nëpër shtëpi, oborre, xhamia dhe i kanë varrosur pa asnjë analize të ADN-së”, tha ai.

Çerkini tha se asnjëherë nuk e kishte menduar që do të kalonin 20 vjet dhe nuk do të gjendej djali i tij. Ai tha se për 20 vjet mund të ishte gërmuar e gjitha Kosova.

“Djemtë e rinj që kanë lindur gjatë luftës, me ua pas dhënë mjetet dhe me ua pas a dhënë ka 150 euro qysh ua japin me na shërby nëpër kafe, e kishin gërmuar edhe i kishin gjetur deri tash, e lëre më shteti, lëre më institucionet që këtë Kosovë ta gërmojnë për 20 vjet”, u shpreh Çerkini.

Vet Çerkini ka qenë në Beograd disa herë në takime të ndryshme nëpër ambasada dhe institucionet serbe ku është interesuar e madje edhe i ka vizituar lokacionet e dyshuara për varre masive.

loading…