Çekia përkrah anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Në vizitë dy ditore në Pragë, zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka filluar takimet me delegacionet më të larta shtetërore të shtetit Çekë.

“Mikpritje e ngrohtë nga ministri i jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek, një mik i Kosovës dhe përkrahës i proceseve integruese të Republikës së Kosovës u realizua në ambientet e këtij institucioni.

Në takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërtimin e një partneriteti gjithëpërfshirës, në të gjitha fushat me theks në zhvillimin ekonomik dhe të investimeve. Ministri Pacolli, ndër të tjera ngriti çështjen e zhvillimit të Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mënyrat e bashkëpunimit për të ndërtuar të ardhmen në BE.

Ministri Petricek përshëndeti të arriturat e Republikës së Kosovës dhe u zotua për mbështetjen e shtetit të Kosovës në proceset e saj demokratike dhe të konsolidimit ndërkombëtar. Gjithashtu mirëpriti dhe mbështeti punën e bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për Kosovën në liberalizim të vizave”, thuhet në njoftimin për media.

Petricek tha se Çekia do ta mbështes Kosovën në anëtarësimin e saj në INTERPOL, siç ka bërë edhe në të kaluarën.

Në fund dy ministrat u pajtuan se duhet thellim i marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat. Ministri Pacolli ftoj për vizitë zyrtare në Kosovë ministrin Petricek, që së bashku të shohin përparimet dhe progreset e mëdha të bëra ndër vite.