Edinson Cavani i ka humbur dy ndeshjet e fundit të Paris Saint Germain në Ligue 1 kundër Marseilles dhe Lilles, ndërsa trajneri Thomas Tuchel nuk ka dhënë informacione nëse sulmuesi uruguaian do të aktivizohet në “San Paolo”, ndaj ish skuadrës së tij.

PSG viziton sonte Napolin në ndeshjen që mund të jetë vendimtare për fatet e grupit C me Liverpoolin që kryeson me 6 pikë, kurse Napoli e parisienët renditen në pozitat 2 dhe 3 me nga 5 e 4 pikë.

Nëse Cavani do të paraqitej sonte, do të ishte ndeshja e parë për të në “San Paolo” prej vitit 2013.

“Nuk mund të them asgjë, është ende herët. Cavani është me ne dhe është stërvitur, do të shohim më vonë”, tregoi Tuchel.

Trajneri gjerman konfirmoi edhe njëherë tjetër se Buffon do të jetë në portë para Areolas, me gardianin veteran që e ka mbushur dënimin prej 3 ndeshjeve pas komenteve fyese ndaj gjyqtarit anglez, Michael Oliver në përfundim të ndeshjes çerekfinale të sezonit të kaluar ndaj Real Madridit.

“Buffon dhe Thiago Silva do të na ndihmojnë neve, Gigi tashmë e njeh atmosferën në stadium dhe të jetë faktor i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes. Ne kemi besim edhe te Areola por Buffon e ka merituar të luajë në Itali përballë një skuadre që e njeh, dhe pas 3 ndeshjeve skualifikim. Unë jam krenar që kam dy portierë të mirë që e respektojnë njëri-tjetrin”, mbylli fjalët e tij Tuchel.