Asistenti i Mourinhos

Carrick mohon spekulimet se fubollistët e Manchester United nuk e japin maksimumin

Lojtarët e Manchester United janë akuzuar se nuk e japin më të mirën nga vetja, diçka që është mohuar nga Michael Carrick.

Seria prej 4 ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet mori fund në ndeshjen ndaj Newcastle, në të cilën “Djajtë e Kuq” rikuperuan disavantazhin prej 2 golave duke triumfuar në fund 3-2.

Ish lojtarët e Unitedit, Paul Scholes dhe Rio Ferdinand pas kësaj fitoreje pretenduan se të gjithë lojtarët e skuadrës nga “Old Trafford” nuk e japin maksimumin.

Por Michael Carrick i cili u emërua ndihmës trajneri i Mourinhos në fillim të sezonit mendon se kjo ide nuk qëndron.

“Kur jeni një lojtar i United pritshmëritë janë të larta dhe secila lëvizje që ju e bëni vëzhgohet duke tentuar të gjykohet. Edhe futbollistët janë njerëz, është shumë e thjeshtë të akuzosh djemtë se nuk luajnë për skuadrën, por kjo nuk është situata”, tha Carrick.

Carrick tutje lavdëroi punën e Jose Mourinhos duke treguar se trajneri portugez i ka ndihmuar shumë të përshtatet në rolin e ri të ndihmës trajnerit.