Canaj: Shpresoj që aleatët s’po i humbim ne, po i humb Kurti

Ish-konsulli në Gjermani dhe Austri, Blerim Canaj, ka thënë se shpreson që partnerët ndërkombëtarë nuk po i humb shoqëria kosovare, por po i humb një person duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka theksuar Qeveria Kurti që nga marrja e mandatit e ka ndjekur një vijë jo të duhur të politikës së jashtme.

“Është hera e parë në historinë e Kosovë që neve na ndodh diçka e tillë përderisa përpjekja jonë gjithmonë ka qenë që ne të jemi sa më mirë të etabluar në arenën ndërkombëtare po edhe që të kemi një funksionalitet sa më të mirë parterët tanë strategjikë. Tash ata si duket po i humbim, po shpresoj që nuk po i humbin ne, por po i humb një person”, ka thënë Canaj.

“Nëse ne flasim për politikën e jashtme si të tillë dhe qeverinë tonë, duke e llogaritur edhe presidencën, qysh prej marrjes së pushtetit kemi parë tendenca që vija të cilën e kanë ndjekur këta në politikën e jashtme nuk ka qenë e duhura që prej fillimit”, ka shtuar ai tutje.

Sipas tij, Kurti e ka humbur besimin si partner serioz me aleatët dhe kështu e ka vendosur Kosovën në disavantazh.