Zyrtarët e shtetit

Caktohet seanca për ministrat që gjuajtën me armë në odën e Limajt

Më 11 shkurt të këtij viti do të dalin para Gjykatës zyrtarët e shtetit, të cilët gjuajtën me armë në odën e Fatmir Limajt, në Banjë të Malishevës.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj dy ministrave, Endrit Shalës dhe Dardan Gashit.

Fundi i nëntorit të 2017-s i kishte bërë bashkë Dardan Gashin, Endrit Shalën e Sami Lushtakun në odën e zëvendëskryeministrit, Fatmir Limajt, për të festuar lirimin e këtij të fundit nga të gjitha akuzat sa ishte ministër i Transportit.

Për të festuar lirimin e Limajt, zyrtarët shtetërorë kishin gjuajtur edhe me armë. Për këtë rast, ata pritet të dalin para Gjykatës më 11 shkurt të këtij viti.

“Për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mediave për lëndën P.nr.197/2018, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarve E.SH., D.G., etj për vepër penale të “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca në fjalë do të mbahet ditën e hanë, datë 11 shkurt 2019 në degën e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës.