Cakaj pret në takim Vasfije Krasniqin, kërkohet drejtësi për krimet e Serbisë gjatë luftës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj të martën është takuar me të mbijetuarën e luftës 99’, Vasfije Krasniqin-Goodman dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, Nafi Krasniqi.

Cakaj ka thënë se Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike.

“Sot pata nderin e veçantë të pres në takim nga Kosova znj. Vasfije Krasniqi-Goodman dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, z. Nafi Krasniqi. Në një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor u njoha hollësisht me angazhimin e tyre në shërbim të kauzës madhore të zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë dhe promovimin e vlerave dhe lirive themelore në përgjithësi”, shkruan Cakaj në faqen e tij në Facebook.

“Pajtohem plotësisht me pikëpamjen e tyre Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike. Vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi”

Tutje ai thotë se Shqipëria nuk do të kursehet duke përkrahur Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Puna në funksion të kësaj kauze na detyron të gjithëve së bashku në përgjithësi dhe secilin prej nesh në veçanti. Mbetem tejet i frymëzuar nga kurajo e tyre për të rrëfyer të vërtetën pavarësisht pasojave dhe për të punuar përmbajtësisht në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit. Ndaj, do ta mbështesë këtë kauzë në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

loading…