Cakaj në Mal të Zi: Projektet dypalëshe përshpejtojnë perspektivën europiane

Ministri në detyrë Cakaj takime dypalëshe në Podgoricë me Kryenegociatorin e Malit të Zi Drljevic dhe Zv.Kryetarin e Parlamentit Nimanbegu

Gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj zhvilloi një takim me kryenegociatorin e Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Aleksandar Derljeviq.

Kryediplomati shqiptar diskutoi mbi projektet dypalëshe apo rajonale në kuadër të integrimit, si mënyra më e mirë për të përshpejtuar perspektivën e përbashkët evropiane.

Ministri në detyrë Cakaj theksoi si domosdoshmëri shkëmbimin e eksperiencave, bashkëpunimin në nivel ekspertësh të grupeve ndërsektoriale, lobimin e përbashkët dhe realizimin e projekteve të cilat u paraprijnë proceseve integruese.

Gjatë vizitës së tij në Malin e Zi ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi gjithashtu një takim me zv.kryetarin e Parlamentit, Genc Nimanbegu, transmeton ATSH.

Në kuadër të një diplomacie parlamentare proaktive, në takim u theksua roli dhe kontributi i grupeve parlamentare respektive të miqësisë, si një vlerë e shtuar në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit ndanë të njëjtat vlerësime për diplomacinë parlamentare e cila merr një rol të rëndësishëm në kuadër të proceseve integruese rajonale, por edhe atë në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE. Ata theksuan se roli i tyre mbetet i rëndësishëm në kuadër të strategjive rajonale të zhvillimit.