Bytyqi raportoi para Komisionit Parlamentar për Arsim rreth procesit të teksteve të reja shkollore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Arsim për gjithë procesin e zhvilluar për tekstet e reja shkollore.

Ministri Bytyqi, ndër të tjera tha se, kanë qenë të pritshme vështirësitë në këtë proces, sepse ky është projekti më i madh që është realizuar këto vite në MAShT, por theksoi se janë marrë të gjitha masat që procesi të shkojë si duhet, duke i respektuar të gjitha aktet ligjore në fuqi.

Ministri përmendi edhe Ligjin e ri për tekste shkollore dhe tha se ky ligj nuk ka kaluar ende për arsye buxhetore, por theksoi se kjo nuk e ka penguar fare këtë proces.

Duke folur për nevojën për tekste të reja shkollore, ministri Bytyqi përmendi mospërputhjen e teksteve me kurrikulën e re, si dhe gabime të shumta të cilat kanë pasur tekstet e vjetra.

Ministri foli për gjithë mbarëvajtjen dhe punën që është bërë që nga fillimi, si dhe për shpenzimet që janë bërë gjatë gjithë procesit, e që janë rreth 76 mijë euro në tërësi.

Sa i përket cilësisë së teksteve, ministri Bytyqi theksoi se përgjegjësinë e vlerësimit të tekstit e mbajnë recenzentët, ndërsa MAShT-i ka obligim të kujdeset që procesi të shkojë deri në fund si duhet.

Ministri përmendi edhe vendimin e KEPShT-it që në listën përfundimtare të teksteve fituese të futen edhe tekstet që janë poentuar mbi 2.75, e që në listën preliminare kanë qenë vetëm ato që janë poentuar mbi 3.

Megjithatë, ministri Bytyqi theksoi se MAShT ka vendosur që t’i pilotojë të gjitha tekstet shkollore dhe nëse vërehet se një tekst nuk është i përdorshëm për mësimdhënie, do të tërhiqet dhe recenzentët do të përgjigjen sipas obligimeve të marra me kontratë.

Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për nevojën e riorganizimit të sistemit arsimor. Me këtë rast, ministri Bytyqi përgëzoi kryetarin e Kamenicës që ka filluar me një projekt të tillë dhe tha se i kemi ofruar mbështetjen e MAShT. Ndërsa, Ministri theksoi se ky riorganizim është i nevojshëm të bëhet në tërë Kosovën dhe tashmë iu është kërkuar zyrtarisht komunave të dërgojnë informacione të sakta rreth objekteve shkollore, në mënyrë që të shikohen edhe mundësitë e adoptimit në institucione parashkollore aty ku ka mundësi.