Deputetja e AAK-së

Bytyqi e AAK-së: S’po kërkojmë më zgjedhje të parakohshme, Kurti është drejt fundit

Albana Bytyqi, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe të ndëshkojnë me votë kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas saj, ai s’ka punuar asgjë.

Deputetja e AAK-së ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se partia e saj më po kërkon zgjedhje të parakohshme me arsyetimin se “Kurti është drejt fundit”.

“Kemi kërkuar më herët (zgjedhje), por tash s’po kërkojmë pasi po e shohim që Kurti është drejt fundit. Po presim që Qeveria të kryejë mandatin sepse po e shohim se mospuna do ta çojë vendin në zgjedhje e s’po e shohim të arsyeshme të lobojmë për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Bytyqi.

Ajo ka thënë se kryeministri Kurti i ka dëmtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke theksuar se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shqetësues”.

“Nga momenti kur Kurti është në qeverisje e kemi parë si i ka raportet me SHBA-në dhe me shtetet e tjera mike. Kjo është padrejtësi që po na bëhet, Kurti s’i ka marrë seriozisht shtetet mike që kanë qenë në favorin tonë. Kjo duhet të mbetet përgjegjësi e Kurtit”, është shprehur deputetja e partisë opozitare.

Sipas Bytyqit, mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave është përgjegjësi e Kurtit.