“Buzë një katastrofe njerëzore”, ushtria ruse po e shkatërron qytetin me portin kryesor të Ukrainës

Qyteti me portin kryesor të Ukrainës, Mariupol, ishte “buzë një katastrofe njerëzore” të mërkurën pas më shumë se 15 orësh bombardime të vazhdueshme nga forcat ruse, tha nënkryetari i bashkisë së qytetit për BBC.

“Ushtria ruse po vepron me të gjitha armët – artileri, sisteme të shumta lëshimi të raketave, aeroplanë, raketa taktike. Ata po përpiqen ta shkatërrojnë qytetin,” tha Serhiy Orlov, nënkryetari i bashkisë.

Orlov tha se forcat ruse ishin disa kilometra larg qytetit  dhe kishin nisur sulme nga të gjitha anët në infrastrukturën kryesore, duke ndërprerë kështu furnizimin me ujë dhe energji elektrike në disa pjesë të qytetit. Një lagje banimi me popullsi të dendur në bregun e majtë të qytetit ishte “pothuajse plotësisht e shkatërruar”, tha ai.

“Ne nuk mund t’i numërojmë viktimat këtu, as nuk mund të hyjmë për t’i tërhequr trupat. por besojmë se me qindra njerëz janë të vdekur. Babai im jeton atje, nuk po mund të kontaktoj me të, nuk e di nëse është gjallë apo jo.”

Harta që tregon se sa territor të Ukrainës ka pushtuar deri më tani Rusia

Forcat ruse kishin shënjestruar pompa të naftës dhe benzinës dhe transformatorë të energjisë, tha zoti Orlov, madje kishte edhe mungesa ushqimore në disa pjesë të qytetit – duke shtuar frikën për ardhjen e një krizë njerëzore.

BBC raporton se Mariupoli është objektiv kryesor strategjik i Rusisë sepse kapja e tij do të lejonte trupat tjerë ushtarake të Rusisë të depërtojnë në Ukrainën lindore e të bashkojnë forcat me trupat ruse në Krime, gadishulli jugor i zaptuar nga Rusia në 2014. Ushtria e Ukrainës u ka rezistuar forcave ruse deri më tani në pjesë kyçe të vendit, por bombardimet e shumta ajrore kanë shtuar frikën se Rusia po ndryshon taktikat, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ushtria ukrainase është shumë e guximshme dhe ata do të vazhdojnë ta mbrojnë qytetin, por stili i ushtrisë ruse është si ai i piratëve – ata nuk luftojnë me ushtrinë ukrainase, ata thjesht mundohen të shkatërrojnë lagje të tëra,” tha Orlov.

“Ne besojmë në ushtrinë tonë ukrainase, por megjithatë gjendemi në një situatë të tmerrshme,” përfundoi ai.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Ndërtesa e një universiteti në Kharkiv duke u djegur pasi u godit nga një raketë ruse të mërkurën / Foto: BBC

Pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi dëm të madh mbi qytetarët civilë të mërkurën pasi lagjet e disa qyteteve të mëdha u bombarduan. Shërbimet e urgjencës të Ukrainës thanë se më shumë se 2,000 civilë janë vrarë deri më tani gjatë pushtimit rus, edhe pse BBC nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur shifrën. OKB tha të martën se të paktën 136 civilë janë vrarë, megjithatë vlerësohet se në fakt ky numër është më i lartë.

Të mërkurën qytetarët ishin poashtu të alarmuar se mos përkeqësohet numri i vdekjeve pasi trupat ruse dukej se kishin rrethuar qytetin e dytë më të madh të vendit, Kharkiv, dhe qytetin port, Kherson. Zyrtarët lokalë thanë se një raketë lundrimi goditi anëtarët e këshillit të qytetit teka po mbanin një mbledhje, duke hedhur në erë pjesën e sipërme të ndërtesës dhe duke plagosur tre prej tyre.