Ministri i Jashtëm

Bushati: I habitur që Presidenti ndryshoi qëndrim, negociatat me Greqinë vijojnë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në përgjigje të deklaratës dhënë një ditë më parë nga presidenti Meta shprehu habinë që sipas tij Kreu i Shtetit ka ndryshuar qëndrim.

“Më habit natyrisht, që presidenti i Republikës në këtë pikë ka ndryshuar qëndrim, po në fund të ditës kush jam unë që të gjykoj të parin e shtetit, unë jam thjesht një ministër”, tha Bushati.

Nuk mund të bëjmë dasmë pa pasur çiftin, ishte shprehja popullore që përdori ministri, duke thënë se negociatat nuk kanë përfunduar ende.

“Në këtë proces presidenti i Republikës ka dhënë autorizimin, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji për mua si ministër i Punëve të jashtme. Unë kam lëshuar plotfuqishmërinë, bazuar në autorizimin e Presidentit të Republikës për ekipin negociator. Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do përdorja një shprehje popullore, ne nuk mund të bëjmë dasëm, në rast se nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne konsiderojmë veten pjesë të një ekipi përfshi dhe Presidentit e Republikës, të cilin e ngarkon Kushtetuta, përfshirë ministrin e jashtëm që e ngarkon Kushtetuta apo ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja natyrisht do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar presidenti i republikës për këtë çështje”, tha Bushati.