Burri i ministres Albulena Haxhiu ia mësynë veriut, shkon si këshilltar

Alban Krasniqi, bashkëshorti i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duket se e ka marrë bekimin nga Qeveria për të “mbrojtur” veriun.

Pas raportimit se xhamat e zyrës së KQZ-së në Mitrovicën e Veriut janë thyer nga persona të panjohur, në vendin e ngjarjes po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), raporton Demokracia.com

Por, i shoqëruar me zyrtarët e shtetit në veri ndodhet edhe burri i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi.

Demokracia.com ka mësuar se burri i ministres Haxhiu, Alban Krasniqi, i cili është këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka arritur aty së bashku me anëtarët e KQZ-së dhe pjesëtarët e policisë, në tentim për të funksionalizuar prapë këtë zyrë.

Zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur mbrëmjen e së hënës së 5 dhjetorit.

Sipas banorëve të asaj pjese, disa persona janë munduar që t’i vënë flakën asaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.

12 kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Këto zgjedhje erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve serbë, pjesë e Listës Serbe, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.