Burri i Meliza Haradinajt-Stublla ofendon Pal Lekajn, e quan pa tru

Dardan Stublla, burri i ish-ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.

Stublla përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka ofenduar Pal Lekaj duke e quajtur njeri me trurin e kufizuar, përcjell Gazeta Insajderi.

“Turpi ska kufi!!!! Kur është bërë Pal Lekaj me trurin e kufizuar që e fut në punë vetëm për mallverëzime dhe tender, ta vlerësojë dikën atëhërë e sheh se ku është vendi. Krijo një skenar me ata tut cka me thon para …… Nr 12 008 sipas Palit 000 Nr 47 119 sipas Palit 019”, ka shkruar Stublla.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Lekajt i cili tha se Meliza Haradinaj-Stublla ka qenë e vlerësuar nga të gjithë anëtarët e AAK-së.

Sipas tij kryediplomatja ka pasur gjithmonë mbështetjen e Ramush Haradinajt.

“Ne Melizën e kemi vlerësuar për punë dhe bashkëpunim, por edhe për kontributin që ka dhënë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sa i përket gjërave të tjera nuk e di se ku ka aludu ngase ajo ka pasur çdoherë mbështetjen e kryetarit z.Haradinajt dhe të gjitha strukturave të AAK-së për pozitat që ka ushtruar në Institucionet e Kosovës”, ka thënë Lekaj për Insajderin.

Krejt këto reagime vijnë pas publikimit të një video ekskluzive të siguruar nga Gazeta Online Insajderi, zbulohet se si afaristi Dardan Stublla bashkëshorti i Meliza Haradinajt-Stubllës, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar kësaj të fundit.

Meliza Haradinaj-Stublla, tashmë ka rënë nga lista e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo pas rinumërimit të votave me kusht, atyre me postë, dhe shtatë kutive të rinumëruara më parë në QNR, vendim ky që u mor pas publikimit të audio-incizimit.