Një tender me vlerë afro 1 milion euro, i dhënë nga Komuna e Rahovecit, po rikthehet në vëmendje në debatin politik, për shkak të lidhjes së operatorit përfitues me bashkëshortin e deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi.
Sipas raportimeve mediale të publikuara më herët, kompania ku ishte pjesë bashkëshorti i deputetes, Jetmir Bytyqi, ishte shpërblyer me kontratë nga Komuna e Rahovecit, e cila udhëhiqet nga Aleanca. Raportimet theksojnë se në garën për këtë tender kishte pasur edhe oferta të tjera me vlerë më të ulët.
Ky tender është rikthyer në vëmendje nga Durim Elshani i Vetëvendosjes. “Një milion euro ia ka marrë Komunës së Rahovecit burri i kësaj deputetes që sot po i jep zor n’Kuvend, me demek për me mbrojtë shtetin. Një milion euro i ka marrë edhe pse në tender ka apliku një kompani tjetër me çmim më të lirë, siç mund ta shihni në foton e tretë, të hijezuar me të verdhë. Nuk e kanë për shtet, besoni nuk e kanë pas kurrë”, ka shkruar Elshani.
Në qendër të debatit është pikërisht mënyra se si është përzgjedhur oferta fituese, duke pasur parasysh pretendimet se operatorë të tjerë kishin ofertuar me çmime më të ulëta.







