Kandidati për deputet nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 11, Burim Ramadani, ka mbajtur një fjalim në Suharekë ku ka theksuar rëndësinë e unitetit qytetar dhe refuzimin e çdo përpjekjeje për përçarje të popullit të Kosovës.
Në një postim publik, Ramadani ka deklaruar se zgjedhjet në demokraci janë festë, por se këto zgjedhje, sipas tij, përbëjnë edhe një vendim madhor për dekadën e ardhshme të Kosovës. Ai ka theksuar se gjatë viteve të fundit ka pasur investime të mëdha politike për të ndarë shoqërinë dhe për të goditur vlerat themelore kombëtare.
“Suhareka e ka dhënë provimin se përçarja nuk pranohet dhe nuk ka sukses,” ka deklaruar Ramadani, duke shtuar se vlerat e popullit të Kosovës nuk janë në shitje dhe nuk mund të nëpërkëmben.
Ai ka nënvizuar se Lëvizja Paqësore dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shtylla të identitetit kombëtar dhe nuk mund të damkosen apo të përulen, duke rikujtuar se Suhareka ka qenë vatër e të dyja këtyre vlerave historike.
Ramadani ka theksuar se bashkimi qytetar është domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës, duke kritikuar qasjen e pushtetarëve aktualë, të cilët, sipas tij, flasin vetëm me gjuhë negative pa prodhuar rezultate konkrete.
Në fjalën e tij, ai ka shprehur mbështetje të fuqishme për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, të cilin e ka cilësuar si kryetar model, si dhe për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e përshkruar atë si personalitet përtej partive politike dhe figurë themelore të lirisë së Kosovës.
“Ne nuk kemi nevojë që askush nga jashtë të na tregojë se kush është Ramush Haradinaj,” ka theksuar Ramadani.
Në fund, ai ka deklaruar se “festa ka filluar në Suharekë”, duke ftuar qytetarët të festojnë për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, në frymë uniteti dhe besimi në vlerat kombëtare.







