Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas tij, ka trajtuar dëmet nga vërshimet në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet që nga viti 2022, ndërsa ka rikujtuar se më 11 tetor 2024 Qeveria ndau 200 mijë euro ndihmë për Bosnjë e Hercegovinën pas vërshimeve atje.

“Skandaloze bre… për kënd kujdeset Qeveria e Kosovës? Nuk kompenson popullin e Kosovës për vërshimet, por i dërgoi para Bosnjës për vërshime. Që nga viti 2022, qytetarët e Kosovës nuk marrin asgjë nga Qeveria e vet për dëmet e vërshimeve. Por, më 11 tetor 2024 po kjo Qeveri i çon 200 mijë euro Bosnjës pikërisht për vërshimet”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen: “Çka i ka bë populli i Kosovës more këtyre?”

Ramadani i bëri këto komente duke akuzuar ekzekutivin për mungesë mbështetjeje ndaj qytetarëve të prekur nga vërshimet, ndërsa kritikoi vendimin për ndarjen e ndihmës financiare për Bosnjë e Hercegovinën.