Albi Mall

‘Burger King’ dje u hap në Prishtinë, kurse sot i humbi dhjetëra klientë për mungesë të rrymës

Reduktimet e energjisë elektrike në vendin tonë janë të përditshme. Qytetarët janë të revoltuar me mungesën e shpeshtë të rrymës.

Për shqetësimet e qytetarëve ka reaguar disa herë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga KEDS-i dhe KEK-u që t’i furnizojnë pa ndërprerje me rrymë qytetarët.

Megjithatë, kjo kërkesë e Haradinajt nuk është edhe që po zbatohet në praktikë.

Me probleme të shumta po përballen edhe bizneset, humbjet e të cilave janë të mëdha nga mungesa e energjisë.

Vetëm sot mungesa e rrymës ka shkaktuar shumë probleme në një qendër të madhe tregtare të Prishtinës, raporton Ballkani.info.

Mungesa e energjisë ka bërë që shumë biznese që operojnë në “Albi Mall” t’i humbasin klientët.

Kjo më së shumti e ka dëmtuar kompaninë e njohur ndërkombëtare “Burger King” e cila dje e ka nisur punën në Prishtinë, respektivisht në “Albi Mall”.

Në momentin kur dhjetëra persona ishin duke pritur sot për të shijuar hamburgerët e këtij brendi botëror, është ndërprerë rryma.

Kjo ka bërë që të ndalohet puna dhe klinentët të largohen të dëshpëruar pa i marrë porositë e tyre, ndërkaq kompania ka pësuar humbje. Përveç kësaj, ‘Burger King’ është detyruar të shpërndajë pije falas për klientët që ishin në radhë dhe të cilëve u janë kthyer paratë pasi që paraprakisht kishin paguar për porosi.

Shtrohet pyetja se si do të vijnë në Kosovë kompanitë tjera më kapital milionësh dhe të investojnë kur mungon elementi kryesor i të bëri biznes, energjia elektrik. /Ballkani.info/