Bulliqi rehaton edhe një militant të Vetëvendosjes brenda në komunë

Kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përsëri ka rehatuar militantë të partisë në komunë.

Së fundmi, për pozitën Zyrtar për Zhvillim u përzgjodh Rilind Babatinca. Pas intervistës dhe tekstit me shkrim, ai doli i pari më 82.2 pikë.

Gazeta Insajderi i ka publikuar rezultatet e vlerësimit të kandidatëve nga komisioni:

Mjafton një klikim në profilin e tij në “Facebook”, për të kuptuar se Babatinca është përkrahës i flakët i Vetëvendosjes.

Në llogarinë e tij në këtë rrjet social shihet se Babatinca ka postuar fotografi të kryeministrit Albin Kurti, por edhe ka shpërndarë postime të kryetarit, Shpejtim Bulliqi.

“Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejtë!”, thuhet në mbishkrimin e fotografisë së Kuritit, të cilën e kishte publikuar Babatinca.

Kjo nuk është hera e parë që Bulliqi favorizon simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje edhe në punësim, por edhe në dhënie të tenderëve.

Javë më parë, Demokracia.com ka raportuar se si Bulliqi i kishte bërë një favor vëllait të shoferit të tij, Agron Fushës.

Atë e kishte shpërblyer me një kontratë për “furnizim me letër të bardhë”. Tenderi kapi vlerën e 35 mijë e 582 euro e 20 centë.

Komuna e Podujevës e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, tenderin ia dha kompanisë N.T.P “Fusha”, vula e të cilit u dha më 29 shtator 2022.

Kjo kompani është në pronësi të Sylejman Fushës, vëllait të shoferit të Bulliqit, Agron Fushës.

Me vendim të Bulliqit, Agron Fusha është emëruar Zyrtar për Logjistikë – shofer i Kryetarit të Komunës së Podujevës.

Ai është emëruar në këtë pozitë më 6 dhjetor 2021, në kohën kur Bulliqi i fitoi zgjedhjet në Podujevë.