Bulliqi: Konjufca u zgjodh kryeparlamentar për fajin e LDK-së

Deputeti i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kërkesa e LDK-së për dorëheqjen e kryeparlamentarit të ri Glauk Konjufca, në mënyrë që kjo parti të marrë kryeparlamentarin deri kur të zgjidhet presidenti, nuk është kërkesë e drejtë. Sipas tij, Konjufca i VV-së u zgjodh kryeparlamentar dhe procesi eci përpara për shkak të LDK-së.

Në Interaktiv të KTV-së, Bulliqi ka thënë se e kanë pritur LDK-në deri më 24 dhjetor për të treguar emrin e kandidatit për kryeparlamentar, por pasi kjo parti kërkoi edhe postin e presidentit, sipas Bulliqit, solli ngecjen e negociatave për formimin e qeverisë. Si pasojë, ai ka thënë se VV-ja nuk ka lejuar që të shihet si pengesë e konstituimit të Kuvendit dhe ka vazhduar me propozimin për Konjufcën, i cili mori edhe votat e deputetëve të LDK-së.

“Ndodhi harmonizimi pothuajse 100 për qind i programit mes dy partive. Erdhëm te postet ministrore. Kur erdhi kjo çështje, këtu ngeli pak procesi dhe dy subjekte sot e kësaj dite janë në përpjekje për t’i harmonizuar, në mënyrë që të krijohen institucionet. Përderisa s’kemi gjë të tillë e procesi rrodhi si rrodhi, ne kemi pas dëshirë që më 26 dhjetor të shkonim të harmonizuar që të krijohet mundësia për të votuar kandidatin e LDK-së për kryeparlamentar. Por e neglizhuan sepse u kapën në një pikë që për mendimin tim s’ishte e arsyeshme të ndodhë në ato momente, çështja e presidentin sepse e dinim që s’ka pas zgjedhje për president. Ka qenë shans i mirë që të kemi ndarje të barabartë të pushtetit, VV-ja me kryeministrin, LDK-ja me kryeparlamentarin e ministritë barabartë. Shansi ishte shumë i mirë e këtë opinioni e di që më së paku ka faj VV-ja që nuk ndodhi”, ka thënë ish-deputeti i LDK-së.

Ai ka përshëndetur takimin e sotëm të kryesisë së LDK-së dhe vendimin që të caktohet një afat kohor për arritjen përfundimtare të marrëveshjes ose jo.

“Është momentumi që të dy subjektet të reflektojnë që të shtyjnë procesin përpara e të bëjnë maksimumin për të krijuar institucionet e vendit. Kaloi një kohë e gjatë, e që as një nga ne s’e kemi pritur që kaq gjatë do të shkojë. Ekziston vullneti në të dy anët. Edhe në LDK sepse po shihet që ka vullnet për krijimin e marrëveshjes. S’do të ishte fer as nga LDK-ja që të kërkojë dorëheqjen e Konjufcës sepse deri më 24 dhjetor kemi shpresuar të arrijmë marrëveshjen e të shkojmë me kandidatin e tyre për kryeparlamentar e një gjë e tillë s’u bë me fajin e VV-së, por me fajin e LDK-së duke synuar apo duke kërkuar që ta kenë edhe presidentin. Sidoqoftë kjo ka ndodhur dhe procesi eci si eci. Kandidati i VV-së u votua edhe nga të gjithë në LDK e procesi eci”, ka thënë tutje ai.

Bulliqi ka thënë se është problematike si çështje që Konjufca të largohet. Sipas tij, ai ka kapacitete për të udhëhequr Kuvendin dhe një “figurë e tillë do t’i bënte nder Kuvendit, LDK-së e edhe VV-së”.

“Problematike është sepse nuk është fer sepse një kandidat si ai i kalibrit që ka Konjufca, do t’i bënte nder Kuvendit, edhe LDK-së, edhe VV-së për të udhëhequr një Kuvend. Është i përgatitur dhe e meriton. Ka kapacitete e intelekt të lartë e s’do të ishte pengesë për LDK-në, që të mos rikthehemi në proces. Procesi ka ecur për fajin e LDK-së, jo të VV-së sepse ishim në pozicion që s’guxonim të dilnim si pengues të krijimit të institucioneve”, ka deklaruar Bulliqi.