Bujar Osmani: Ku është SHBA-ja, nuk ka zhgënjim

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi, në një intervistë për RTK-në, tha se konteksti në të cilën po mbahet takimi mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, është i jashtëzakonshëm.

Ai tha se pritjet janë të mëdha sepse i tillë është momentumi politik.

“Nën një, ai gjeopolitik dhe nën dy, përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar”, tha Osmani.

Ai tha se për vetë faktin që Maqedonia e Veriut është zgjedhur të përfshihet në njëfarë mënyre në këtë proces, është mirënjohja më e madhe për rolin e ri ndërkombëtar që tashmë ka ky shtet.

“Por mendoj se edhe simbolika që po mbahet në Ohër ky takim, është reflektim për suksesin e marrëveshjes së Ohrit sepse po mbahet pikërisht në ato dhoma”, tha ai. “E marrëveshja e Ohrit sot njihet si marrëveshja më e suksesshme ndërkombëtare në këtë rajon, e ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE”.

Ai deklaroi se ky është edhe një mesazh se SHBA nuk ka zhgënjyer asnjëherë në këto procese.

“Shpresojmë që do të jetë e mundur që të kemi një sukses që garanton stabilitet të qëndrushëm për rajonin”.

Osmani e konfirmoi se takimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti me kryeministrin Albin Kurti, ishte edhe një inkurajim për të arritur marrëveshje, duke marrë për bazë edhe shembullin e tyre për arritjen e marrëveshjes së Ohrit.