Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, bashkë me deputeten e PDK-së, Vlora Çitaku, kanë takuar gratë e Bujanit dhe Bregut të Zi.
“Sot, në praninë e Sekretares së Përgjithshme të PDK-së dhe Deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Vlora Çitaku, të cilën e falënderojmë për përkrahjen dhe angazhimin e saj të çmuar, zhvilluam një takim të paharrueshëm me gratë e Bujanit dhe Bregut të Zi. Ky takim u mbush me entuziazëm, energji dhe besim të fuqishëm për fitoren tonë të përbashkët. Gratë e këtyre fshatrave na dhanë një mesazh të qartë: përkrahje masive për projektin tonë politik për Lipjanin”, ka shkruar Buja.
Ai iu ka thënë atyre se do të jenë në qendër të vizionit të tij për të ardhmen e komunës së Lipjanit.
“Do të krijojmë më shumë mundësi për punësim e ndërmarrësi për gratë, mbështetje në arsim dhe trajnim profesional për vajzat e reja, si dhe përfshirje të fuqishme të grave në vendimmarrje. Lipjani që po ndërtojmë do të jetë një komunë ku zëri dhe kontributi i grave do të jenë themel i zhvillimit dhe progresit tonë”, ka shkruar Buja. /Ballkani.info/






