Bugajski: Pa njohje të ndërsjellë, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë pafundësisht

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski deklaroi për mediat boshnjake se Rusia e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet.

Vuçiq dhe Putin luajnë kartën e Kosovës për të mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar mosmarrëveshje.

“Beogradi dhe Moska llogaritin se nxitja e konfliktit në veri të Kosovës do t’i shpërqendrojë zyrtarët perëndimorë nga marrja e ndonjë vendimi të vështirë për njohjen reciproke nga frika e dhunës”, u shpreh ai.

Sipas tij, vizita e fundit e ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin në Moskë tregon mbështetjen e vendosur të Beogradit për imperializmin rus në këmbim të ndihmës së Kremlinit për “të ngrirë” Kosovën dhe për të mbrojtur Serbinë në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n.

Bugajski ka deklaruar se nuk ka ndonjë afat se kur do të ndodhë njohja ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të regjistrojnë disa marrëveshje, si me marrëveshjen e fundit për lëvizjen e lirë, por pa një afat të caktuar për njohjen ndërshtetërore, ato do të vazhdojnë pafundësisht.”, tha ai.