BSPK i bën thirrje MPJD-së që t’i kthejë diplomatët në punë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka përkrahur protestën e sotme të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), lidhur me zhvillimet e fundit në këtë dikaster.

Përfaqësuesi i BSPK-së, Ali Gashi, në një deklarim për media tha se janë të shokuar për veprimet dhe diskursin e MPJD-së ndaj diplomatëve.

Ai i bëri thirrje kryediplomates, Donika Gërvalla, që t’i kthejnë në punë diplomatët dhe të respektojë ligjin.

“Ne si BSPK kemi qenë të shokuar për veprimet dhe diskursin e ndjekur nga MPJD-ja për diplomatët. Kosova ka investuar shumë në kapacitetet humane në aspektin e diplomacisë dhe të funksionimit sa më të mirë të diplomacisë në shtetet e tjera. Tendenca që të mohohet e drejta dhe të devalvohet një kuadër i tillë për BSPK-në është i padrejt”.

“Ne si BSPK kërkojmë ministrisë që t’i respektojë këta diplomatë dhe ta respektojë ligjin. I bëjmë apel që ta anulojë atë vendim dhe ta kthejnë z. Malokun në detyrën që ka qenë”, u shpreh Gashi para gazetarëve.

Kësaj thirrje iu bashkua edhe Ali Sefaj nga Këshilli Grevist, i cili tha se kështu po dëmtohet imazhi i Republikës së Kosovës.

“Na vjen keq që krejt këtë investim që e ka bërë Kosova, të trajtohet në këtë format sepse këto janë taksat tona, ky është imazhi i Republikës së Kosovës. Konform legjislacionit në fuqi, kërkojmë që të revokohen vendimet dhe njerëzit të kthehen në pozitat që kanë qenë”.

“Në rast se ndonjëri nuk i kryen detyrat e veta, atëherë legjislacioni në fuqi parasheh edhe mundësi të tjera. Por, t’u ndërpritet marrëdhënia e punës nuk është në përputhje me ligjin”, deklaroi Sefaj./Telegrafi/