Brovina: Në Hagë më kanë thënë se kanë dëshmi sa një dhomë për gratë e dhunuara në Kosovë

Deputetja e Kuvendit nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina ka marrë shumë kritika pas publikimit të një fotografie ku shihen tre ushtarë serbë derisa po e dhunonin një grua kosovare. Kjo fotografi u konsiderua si gjest jo-etik nga deputetë e organizata që mbrojnë të drejtat e grave të dhunuara në Kosovë.

Disa kanë thënë se dëshmitë Brovina duhet që t’i dorëzojë në prokurori e gjykatë e jo të pa cenzoruara para mediave e jo në kohën sa kjo grua që gjendet në foto është gjallë.

Por, deputetja Brovin po deklaron se për ekzistencën e këtyre fotove kanë qenë të njoftuara organizatat që merren me këto gra si dhe fondacioni i ish-presidentes Jahjaga.

“Të dhënat e mia nuk janë burgosur. Dëshmitë, historitë e këtyre njerëzve, qofshin fëmijë, qofshin të rritur. Janë të njoftuara për të gjitha këto që thash edhe presidentja dhe fondacioni i saj”, ka thënë ajo.

Brovina ka potencuar se edhe ndërkombëtarët i kanë thënë asaj se kanë dëshmi për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë nga ana e serbe sa një dhomë.

“Nga Haga më kanë thanë se kanë dëshmi sa një dhomë për gratë e dhunuara në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Brovina, ekskluzivisht për emisionin Frontal ka treguar se e ka pasur lejen e gruas që është dhunuar në luftë për t’ia publikuar fotografinë derisa e kishin kryer krimin forcat serbe.

Ka pasur shumë reagime për publikimin e fotografisë së gruas kosovare duke u dhunuar nga forcat serbe, nga deputetja Brovina. Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, e ka akuzuar se ka bërë publike fotografi pa leje të gruas që duket aty.

Ajo thotë se ka marrë leje nga familja e gruas dhe tha se identiteti i saj është mbajtur fshehur.

“Po sigurisht. Prej nënës kam marrë leje. Kam marrë leje edhe nga vetë personi”, ka thënë Brovina për T7.

Sipas saj, ka qenë e udhës që të publikohen faktet për krimet e kryera nga serbet.

“Më befasoi reagimi i disa kolegëve të mia sepse gjenocidin duhet ta dëshmojmë. Ishte kuvendi ku desha të dëgjohem”, ka thënë tutje Brovina.