Brnabiq sulmon Edi Ramën për deklaratat e bëra rreth taksës gjatë vizitës në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka kritikuar deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të bëra gjatë vizitës së fundit në Kosovë, duke i cilësuar si të pavërteta.
Sipas saj, Rama kur ka folur për shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s, ka tentuar që të shfrytëzojë këtë çështje për fajësim të Serbisë, siç thotë ajo ‘për të gjitha veprimet e paarsyeshme të Prishtinës’, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.
Brnabiq e ka cilësuar si naivitet mbështetjen që Edi Rama i ka thënë vendosjes së taksës prej 100 për qind, pasi, sipas saj, një vendim i tillë përkon me mendësinë e politikës së shekullit 19-të.
“Prishtina po punon me politikën e shekullit 19-të. U bëj thirrje autoriteteve të Prishtinës që të shpjegojnë arsyet e vërteta të vendosjes së taksës mbi produktet serbe, sepse deri më tani kanë bërë më shumë justifikime”, citohet të ketë thënë Brnabiq.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kosovë pas mbledhjes së dy qeverive, kishte deklaruar se taksa e vendosur nga Republika e Kosovës nuk është një veprim i duhur ekonomik, por një veprim shumë i nevojshëm politik, të cilin tha se do ta mbështesë deri në fund.