Brnabiq: Bombardimi i NATO-s krim monstruoz, Vuçiq po lufton për Kosovën si askush më parë

Bombardimet e Natos ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë nuk kishin të bënin me sundim të ligjit, por me sundim të forcës, tha Kryeministrja e Serbisë,  Ana Brnabiq mbrëmë, duke komentuar deklaratën e ambasadorit gjerman Thomas Sheib, i cili ditë më parë tha se, intervenimi duhej të ndodhte për të parandaluar gjenocidin dhe një katastrofë humanitare në Kosovë.

Në një emision në TV Pink, Brnabiq i cilësoi bombardimet më 1999 si agresion një krim monstruoz.

Brnabiq tutje tha se  presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është “duke luftuar për Kosovën”, ashtu siç nuk kishte luftuar askush më parë.

Tutje, ajo theksoi se Vuçiq kurrë nuk tha asgjë që do të kompromentonte pozicionin e Serbisë ndaj Kosovës, por që sipas saj, Vuçiq potencoi faktin që duhet të shikohet drejt së ardhmes.

Ndryshe, diplomati gjerman në Serbi deklaroi se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme, por se sipas tij ishte e nevojshme për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.