Britania po përballet me shpërthimin më të madh të gripit të shpendëve, ekspertët ngrenë alarmin

Britania po përballet me shpërthimin e saj më të madh ndonjëherë të gripit të shpendëve, pasi të gjitha shpendët në Angli janë vendosur në izolim për të ndaluar përhapjen e virusit.

Kanë hyrë në fuqi masat për mbajtjen e të gjitha shpendëve të izoluar për të parandaluar përhapjen e gripit, raporton abcnews.al.

Masat kombëtare të strehimit, të cilat u njoftuan javën e kaluar dhe po hyjnë në fuqi nga e hëna, kanë për qëllim parandalimin e ndërveprimit të zogjve shtëpiak me shpendët e egër.

Masa vjen pasi Mbretëria e Bashkuar është përballur me shpërthimin e saj më të madh të gripit të shpendëve me më shumë se 200 raste të konfirmuara në ambiente tregtare, ferma të vogla dhe në shpendë shtëpiake që nga tetori i vitit të kaluar.

Qeveria tha se të gjithë duhet t’i mbajnë zogjtë e tyre brenda, pavarësisht nga lloji i zogut apo numri i mbajtur.

Gjithashtu, atyre u kërkohet të ndjekin masa të tjera të biosigurisë të mandatuara nga Zona e Parandalimit të Gripit të Shpendëve (AIPZ) në çdo kohë për të mbrojtur tufën e tyre dhe për të parandaluar rrezikun e shpërthimeve të ardhshme, shkruan The Sun.

Këto përfshijnë pastrimin dhe dezinfektimin e këpucëve dhe veshjeve para dhe pas kontaktit me zogjtë, reduktimin e lëvizjes së njerëzve në ambiente dhe ruajtjen e shtratit siç duhet në mënyrë që të mos kontaminohen nga zogjtë e egër.

Qeveria ka paralajmëruar pronarët se gripi i shpendëve mund të vrasë zogjtë e shtëpisë nëse nuk merren masa.

Masat e reja po futen pasi sëmundja u konfirmua në mbi 90 ambiente dhe është gjetur në më shumë se 200 zogj të egër të ngordhur që nga fillimi i tetorit.

Christine Middlemiss, shefe veterinare, tha: “Shumë mbajtës të shpendëve në Angli kanë standarde të shkëlqyera të biosigurisë, por ne e dimë se një gabim i vogël është gjithçka që duhet për të futur gripin e shpendëve në ambiente dhe për të vrarë tufat.”

“Vetëm një urdhër strehimi nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ulur shkallën e infeksionit. Zbatimi i biosigurisë skrupuloze dhe ndarja e tufave nga shpendët e egër mbetet forma më e mirë e mbrojtjes.”

“Pavarësisht nëse mbani vetëm disa zogj apo mijëra, nga sot e tutje ata duhet të strehohen për t’i mbrojtur nga kjo sëmundje shumë infektive.”

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar vazhdon të këshillojë se rreziku për shëndetin publik nga virusi është shumë i ulët./Abcnews.al./