Britania nis hetime ndaj kryeministrit për rinovimin e shtrenjtë të banesës

Komisioni Zgjedhor i Britanisë së Madhe ka nisur zyrtarisht hetime për mënyrën se si kryeministri Boris Johnson e ka financuar rinovimin e rezidencës zyrtare.

“Ka bazë të arsyeshme për të dyshuar se një shkelje apo disa shkelje mund të kenë ndodhur”, tha Komisioni Zgjedhor, shkruan The Guardian.

“Hetimet do të përcaktojnë nëse ndonjë transaksion që lidhet me punët në “11 Downing Street” bien brenda regjimit të rregulluar nga Komisioni dhe nëse financimet e tilla janë raportuar siç kërkohet”, tha më tej ky komision.

Ministrat kanë thënë se kryeministri e ka paguar vetë rinovimin, por nuk është e qartë se kur ka paguar dhe nëse rinovimi, për të cilin raportohet se ka kushtuar 200 mijë funte, është financuar fillimisht përmes ndonjë huaje. Sipas rregullave për financim politik, Johnson është dashur që ta deklarojë këtë.

E pyetur muajin e kaluar rreth rinovimit, zëdhënësja e kryeministrit Johnson tha se të gjitha donacionet, dhuratat dhe përfitimet janë deklaruar në mënyrën e duhur dhe se nuk janë përdorur mjete financiare të Partisë Konservatore për ta paguar rinovimin e banesës.

Kryeministri britanik ka të drejtë që të shpenzojë 30 mijë funte të taksapaguesve në vit për mirëmbajtjen dhe furnizimin e banesës së tij zyrtare, por çdo shpenzim mbi këtë shifër duhet të mbulohet nga buxheti personal i shefit të qeverisë.

Partia Laburiste në opozitë ka kërkuar sqarim për këtë çështje. Nënkryetarja e saj, Angela Rayner, i shkroi shefit të Shërbimit Civil, Simon Case, duke i kërkuar hetim të përgjigjeve të dhëna nga ish-sekretarja për medie.

Dominic Cummings, ish-këshilltar kyç i kryeministrit Johnson që e ndihmoi atë për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2019, tha të premten se shefi i qeverisë ka dashur që donatorët ta paguajnë rinovimin e banesës së tij në mënyrë të fshehtë.