Mehmet Ballazhi

Breshëri i madh në Han të Elezit shkakton dëme dhe lë disa zona të qytetit pa ujë të pijes, qeveria nuk interesohet fare

Komuna e Hanit të Elezit, pasditen e djeshme është goditur nga një mot i lig, me breshër të madh e reshje të shiut dhe që nga ora 17:00 disa zona të kësaj komune nuk kanë ujë të pijes, shkruan Ballkani.info.

Nga këto dëme të shkaktuara, Komuna e Hanit të Elezit, ka mbajtur mbledhje qysh mëngjesin e sotëm, ku është formuar Komisioni Vlerësues për dëmet e shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore.

Lidhur me këtë Ballkani.info ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune, Mehmet Ballazhin.

Ai ka deklaruar se ndërprerja e ujit të pijes ka ndodhur për shkak të turbullirave që janë shkaktuar nga moti i ligë dje, dhe se një pjesë e qytetarëve që furnizohet nga fabrika e ujit në Fshatin Dimcë, kanë mbetur pa ujë, dhe s’po mundet ende të përpunohet uji.

“Qysh dje jemi munduar të marrim informacione e t’iu dalim në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga breshëri dhe reshjet e shiut mbrëmë. Ne nuk kemi pasur të bëjmë diçka tjetër përveçse në aspektin e ujit të pijshëm, sepse e kemi ndal qarkullimin e ujit për shkak të turbullirave që janë shkaktuar të një pjese të qytetit, përndryshe nuk është i gjithë qyteti pa ujë, vetëm pjesa ku furnizohemi prej krojeve të Dimcës (fabrika e ujit), e s’mundet ende ta përpunojë ujin”, ka thënë kryetari Ballazhi.

Ai ka deklaruar se nga këto dëme kanë qenë të prekura fushat e bujqësisë ku janë dëmtuar serrat, kulmet e shtëpive, fasadat e tyre, dhe automjetet individuale të qytetarëve.

“Kjo është ndalesë e përkohshme e ujit dhe janë njoftuar qytetarët, përndryshe diçka tjetër, përveç komisionit që kemi formuar për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet, një mbledhje të jashtëzakonshme e kemi pasur që në mëngjes, dhe jemi në proces të daljes në terren të Komisionit Vlerësues. Në përgjithësi ne e dimë dhe e kemi parë që fusha më e prekura ka qenë bujqësia, ku janë dëmtuar serrat, pastaj kulmet e shtëpive ku janë dëmtuar edhe fasadat e tyre, dhe janë automjetet individuale të qytetarëve. Ne gjithsesi që duhet t’i drejtohemi qeverisë për kompensimin e këtyre dëmeve për shkak se ne nuk kemi buxhet të ndarë për kompensimin e dëmeve që ndodhin nga fatkeqësitë natyrore”, ka deklaruar kryetari Ballazhi për Ballkani.info.

Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës asnjë telefonatë të vetme nuk i ka bërë atij, për dëmet që janë shkaktuar, por do të iu drejtohen me një shkresë, pasi që Komisioni Vlerësues të i vlerësoj dëmet.

“Unë e shprehi zhgënjimin tim nga ana e qeveritarëve, të cilët asnjë telefonatë të vetme nuk na e kanë bërë neve si komunë për t’u interesuar se çka po ndodhë, ne po ashtu do të i drejtohemi me një shkresë, me një raport për ndodhitë që i kanë shkaktuar fatkeqësitë natyrore. Por derisa të kryhet vlerësimi nga komisioni për dëmet, ne nuk mund të marrim ndonjë vendim”, ka shtuar Ballazhi.

I pyetur se a është një “inat politik” nga ana e Qeverisë së Kosovës pasi që Komuna e Hanit të Elezit, udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, ka deklaruar se nuk ka informacione që ka “inate politike” nga qeveria, por ka më shumë neglizhencë e mos interesim.

“Unë nuk e kisha cilësuar si inat politik, por më shumë është neglizhencë nga ana e tyre, e mosinteresimi i tyre, por jo inat, sepse s’do të duhej të ketë inate pasi që edhe ne jemi pjesë e Kosovës, jemi kryetar të komunave të këtij shteti, jemi njerëz të njëjtë dhe të barabartë që duhet të trajtohemi njësoj. Është e vrazhdë të thuhet “inat politik”, nuk e di, nuk kam ndonjë informacion që kanë shpreh inat politik, por neglizhencë ka gjithsesi”, ka deklaruar kryetari Ballazhi. /Ballkani.info/

@ballkani.info Bresheri bëri kërrdi në Han të Elezit, dëmton vetura qindra mijëra euro, bllokon rrugë, dëmton sera… #moti #hanielezit #bresher #kosova #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #kosova🇽🇰 #kaçanik ♬ original sound – Ballkani.info