Brenda një kohe të shkurtër Specialja ftoi dy prej funksionarëve më të lartë të shtetit. Kush e ka radhën tash?

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Gjykata Speciale, ka ftuar dy prej udhëheqësve më të lartë të shtetit të Kosovës. Më 19 korrik, ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës që kishte marrë për intervistim në Hagë. Ditë më parë organizata e veteranëve paralajmëroi arrestime të ish-pjesëtarëve të UÇK’së ndërsa Veseli ftesën e bëri publike në ditën kur KQZ shpalli rezultatet e zgjedhjeve.

Tre muaj pas, ftesa nga Dhomat e Specializuara i ka mbërritur edhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së dhe ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit.

Kjo ftesë nga Specialja, Veselin e ka gjetur në detyrën e kryekuvendarit të Kosovës që do ta lë së shpejti pasi që partia e tij ka humbur në zgjedhjet e 6 tetorit dhe do të bëjë opozitën në mandatin e ardhshëm.

Veseli sot në një konferencë për media nga holli i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka konfirmuar se është ftuar nga Specialja dhe se një ftese të tillë do t’i përgjigjet më 4 dhjetor të këtij viti, megjithatë nuk ka specifikuar se në çfarë cilësie është ftuar.

Haradinaj e Veseli janë vetëm dy prej qindra emrave të ish-ushtarëve të UÇK’së, që ka ftuar Specialja gjatë këtij viti.

Në ditën kur ishte votuar Specialja, Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, kishte bërë thirrje për deputetët që të votojnë pro-themelimit, duke thënë se një gjykatë e tillë do të jetë në të mirën e Kosovës.

“Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, kishte thënë Veseli nga foltorja e Kuvendit më 3 gusht të vitit 2015.

E në fjalim e sipër kishte thënë se nuk beson që Gjykata Speciale ka ardhur nga Beogradi.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi”, kishte potencuar Veseli.

Më 3 gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim i kishin dhënë dritën jeshile themelimit të Dhomave të Posaçme, duke miratuar kështu ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e votimit në seancë kishin qenë të pranishëm 117 deputetë.

Miratimi i këtyre ndryshimeve kishte ardhur pas një dite të rëndë debatesh ndërmjet deputetëve të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës, në shumë raste edhe me fjalët më banale.

loading…